Hapet varri i Atë Nikollë Kolajt pas 70 vitesh, besimtarë e klerikë marrin pjesë në ceremoninë në Dajç
Pas 70 vitesh nga vdekja e tij, është hapur varri i fratit të njohur Atë Nikollë Kolaj, i konsideruar nga shumë besimtarë si mrekullibërës, si gjatë jetës ashtu edhe pas ndarjes nga jeta.
Ceremonia u zhvillua në Dajç, ku të pranishëm ishin Giovanni Peragine, Atë Pashko Gojçaj, kustodi i Kustodias Françeskane në Shqipëri, si dhe dhjetëra besimtarë e dëshmitarë nga zona.
Sipas organizatorëve, deri më tani janë mbledhur dëshmitë e mbi 40 personave, të cilët flasin për hire dhe ndërhyrje të mrekullueshme që, sipas tyre, janë marrë përmes lutjeve drejtuar Atë Nikollës.
Prej vitesh qarkullonte edhe pretendimi se regjimi komunist mund t’ia kishte zhdukur ose tretur eshtrat, për të ndalur fluksin e madh të besimtarëve që vizitonin varrin e tij. Megjithatë, hapja e varrit ka rrëzuar këto dyshime.
Sipas dëshmive dhe verifikimeve të bëra në vend, janë tre elementë që vërtetojnë se eshtrat i përkasin Atë Nikollë Kolajt:
- vendndodhja e varrit, që përputhet me kujtesën e banorëve;
- një trupore e vogël e Shna Ndout, të cilën frati e mbante gjatë lutjeve;
- dy unaza ku varej rozarja e tij françeskane.
Bëhet me dije se, deri në sistemimin përfundimtar të varrit, eshtrat do të mbahen në kapelën e qelës famullitare të Dajçit.
Me miratimin e arqipeshkvit të Shkodër-Pultit, besimtarët do të kenë mundësi të luten pranë arkivolit me eshtrat e Atë Nikollës në këto orare:
- në kishën e Dajçit të Bregut të Bunës, të dielën më 24 maj, nga ora 18:00 deri në 21:00;
- në Pentar, pranë vendit ku ndodhej kisha e vjetër, të hënën më 25 maj, ku në orën 17:00 do të mbahet Mesha e Shenjtë dhe eshtrat do të qëndrojnë deri në orën 19:00.





