Duke nisur nga fillimi i muajit prill do të aplikohet ndalimi i përkohshëm i peshkimit në Liqeni i Shkodrës, një masë që synon mbrojtjen dhe ripërtëritjen e specieve peshkore në këtë ekosistem të rëndësishëm natyror.
Sipas specialistëve të sektorit të peshkimit, periudha e ndalimit është e domosdoshme për të garantuar riprodhimin e peshqve dhe për të ruajtur balancën natyrore të liqenit. Ndërkohë, vitet e fundit është vënë re një përmirësim i situatës së resurseve peshkore, të cilat konsiderohen tashmë më të qëndrueshme.
Ekspertët bëjnë me dije se disa lloje peshqish që më parë kishin shfaqur rënie të numrit, tashmë po japin shenja rikuperimi, falë rritjes së kontrolleve dhe menaxhimit më të mirë të aktivitetit të peshkimit.
“Resurset peshkore kanë pasur qëndrueshmëri dhe nga viti në vit kontrollet për ruajtjen e liqenit janë shtuar. Liqeni i Shkodrës ka speciet e veta autoktone”, u shpreh Arjan Çinari.
Institucionet përgjegjëse për menaxhimin e peshkimit bëjnë të ditur se gjatë kësaj periudhe kontrollet në terren do të vijojnë në bashkëpunim me strukturat e tjera ligjzbatuese, përfshirë policinë, policinë kufitare, policinë bashkiake dhe inspektoratet përkatëse.
Qëllimi i këtyre masave është mbrojtja e resurseve natyrore dhe garantimi i një menaxhimi të qëndrueshëm të peshkimit në liqen, i cili konsiderohet një nga pasuritë më të rëndësishme natyrore të veriut të vendit.
