Zona turistike e Shirokës dhe Zogajt duket se për një kohë të gjatë ka kaluar jashtë vëmendjes së institucioneve, ndërsa ndërtimet pa leje kanë gjetur hapësirë për t’u zhvilluar. Këtë e tregojnë edhe aksionet e fundit të ndërmarra nga Policia e Shkodrës dhe institucionet përgjegjëse për rikthimin e ligjshmërisë në këtë zonë.

Ne 24 oret e fundit, specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Shkodër kanë referuar materialet në Prokurori, duke nisur procedim në gjendje të lirë për dy shtetas të konstatuar me shkelje në zonën e mbrojtur të Shirokës.

Shtetasi E. K., 25 vjeç, është kapur duke kryer punime ndërtimi në një objekt në pronësi të tij, në tejkalim të lejes së dhënë nga organet kompetente. Ndërsa shtetasi B. T., 34 vjeç, është konstatuar duke ndërtuar pa leje në një tjetër objekt në të njëjtën zonë të mbrojtur.

Ndërkohë, ditën e sotme ka nisur aksioni për prishjen e ndërtimeve pa leje, një ndërhyrje që synon të rikthejë ligjshmërinë dhe të mbrojë zonën bregliqenore nga abuzimet urbanistike.

Autoritetet paralajmërojnë se kontrollet do të vijojnë, ndërsa fokus do të jetë evidentimi dhe ndëshkimi i çdo shkeljeje në territorin e Shirokë-Zogaj.

Share.
error: Content is protected !!