Një rast i dyshuar mashtrimi me pronën është referuar në Prokurori nga Drejtoria Vendore e Policisë Shkodër, ku në fokus është një sipërfaqe toke në zonën turistike të Theth.

Sipas policisë, specialistët për Hetimin e Krimeve Ekonomiko-Financiare kanë nisur procedimin penal ndaj shtetases A. B. (P.), 62 vjeçe, banuese në Shkodër, e dyshuar për veprën penale “Mashtrimi”. Procedimi nisi pas kallëzimit të shtetasit Gj. P., 57 vjeç, i cili pretendon se 62-vjeçarja, përmes mashtrimit dhe falsifikimit të dokumenteve, i ka përvetësuar një sipërfaqe toke që ai e zotëron me certifikatë pronësie në fshatin Theth.

Rasti pritet të hetohet nga organet e drejtësisë për të sqaruar rrethanat dhe dokumentacionin e pronësisë. Zona e Thethit, e njohur për zhvillimin e turizmit vitet e fundit, ka qenë shpesh në qendër të debateve dhe konflikteve për pronat, për shkak të rritjes së interesit për investime turistike dhe ndërtim bujtinash.

Ndërkohë, në njoftimin e saj policia bën me dije se janë referuar në Prokurori edhe disa raste të tjera. Mes tyre procedimi në gjendje të lirë i shtetasit A. S., 34 vjeç, banues në Grudë e Re, i cili dyshohet se ka kanosur me fjalë një 19-vjeçar për motive të dobëta, si dhe procedimi ndaj një 15-vjeçari që dyshohet se i ka vjedhur një çantë me një shumë parash një 45-vjeçareje në Shkodër.

Po ashtu, nga Komisariati i Policisë Malësi e Madhe është referuar në Prokurori një rast dhune psikologjike në familje, ku dyshohet se shtetasi M. Gj., 43 vjeç, banues në Gruemirë-Çezme, ka ushtruar dhunë ndaj bashkëshortes së tij.

Ndërkohë, specialistët e qarkullimit rrugor kanë referuar për njoftim fakti një aksident të ndodhur në lagjen Perlat Rexhepi, ku një 20-vjeçar nga Fushë-Krujë është dëmtuar lehtë në krah pasi është përplasur nga një automjet.

Të gjitha materialet procedurale i janë referuar prokurorisë pranë gjykatës së shkallës së parë të juridiksionit të përgjithshëm Shkodër, për veprime të mëtejshme hetimore.

Share.
error: Content is protected !!