Një delegacion i përfaqësuesve të qeverisë së Giorga Meloni nga Fratelli d’Italia, zhvilloi këtë të hënë një vizitë në qendrën pritëse të emigrantëve në Gjadër. Qëllimi i kësaj vizite ishte verifikimi nga afër i funksionimit të strukturës në kuadër të marrëveshjes për menaxhimin e emigracionit.

Pas inspektimit në terren, deputetja Sara Kelany, përgjegjëse për çështjet e emigracionit në këtë forcë politike, deklaroi për mediat se qendra është plotësisht funksionale dhe në operim të vazhdueshëm.

Sara Kelany: “Kemi ardhur këtu për të dëshmuar se këto qendra aktualisht funksionojnë me kapacitet të plotë dhe ka persona që kanë kaluar nëpër to. Deri më sot, rreth 536 individë janë riatdhesuar, ndërsa për të tjerë është vendosur ndalimi. Vizita jonë kishte për qëllim të verifikojë nga afër funksionimin efektiv të kësaj qendre në Shqipëri.”

Delegacioni përbëhej nga disa figura të rëndësishme të politikës italiane, si dhe përfaqësues të niveleve të larta drejtuese në parlament.

Kjo vizitë zhvillohet në një moment kur çështja e emigracionit vijon të mbetet në fokus të debatit publik, si në Itali ashtu edhe në nivel rajonal dhe evropian, veçanërisht në lidhje me zbatimin praktik të marrëveshjeve ndërmjet dy vendeve.

Share.
error: Content is protected !!