Bashkia Shkodër ka vijuar aksionin për lirimin e hapësirave publike dhe goditjen e ndërtimeve pa leje, duke u zhvendosur këtë herë në një nga pikat më të frekuentuara turistike të vendit, në Lumin e Shalës.

Burime për VERIUSOT bëjnë me dije se në zonë kanë mbërritur forca të Inspektoratit të Mbrojtjes së Mjedisit pranë Bashkisë, drejtues të bashkisë, Policia Bashkiake dhe Policia e Shtetit. Ata kanë nisur inspektimet në terren për evidentimin e ndërtimeve pa leje dhe për ndërhyrjen në funksion të lirimit të hapësirave publike.

Sipas të njëjtave burime, ende nuk ka një numër të saktë të subjekteve ku pritet të ndërhyhet, ndërsa verifikimet vijojnë.

Ndërkohë, ndërhyrja vjen pas një periudhe të gjatë ku Lumi i Shalës, një nga destinacionet më të bukura dhe më të vizituara në Shqipëri, është përballur me një betonizim të pakontrolluar. Ndërtimet pa kriter dhe mungesa e reagimit në kohë kanë dëmtuar rëndë ekosistemin dhe kanë zbehur ndjeshëm identitetin natyror të zonës, duke ngritur pikëpyetje serioze mbi mënyrën se si është menaxhuar kjo pasuri deri më sot.

Share.
error: Content is protected !!