Një trafikant shqiptar droge nga Shkodra, që fshihej në Barcelonë, mendonte se i kishte shpëtuar drejtësisë italiane, por një gabim e nxori zbuluar. Ai i shiti sasi të mëdha kokaine një italiani për të rritur shpërndarjen në zonën e Alta Padovanas dhe karabinierët e Cittadellas ranë në gjurmët e tij.
Në vitin 2022, 28-vjeçari Enri Hardolli, nga Shkodra, ishte nën hetim nga Antimafia e Triestes dhe Guardia di Finanza e Venecias, pas sekuestrimit të një ngarkese prej katër tonësh kokaine, pjesë e “Clan del Golfo”, grup kriminal të cilit i janë sekuestruar në total 4.3 ton kokainë dhe 2 milionë euro, përfshirë mjete transporti si kamion dhe fuoristradë, gjatë një mega-operacioni të zhvilluar nga Guardia di Finanza dhe Antimafia e Triestes.
Pak më vonë, ndaj tij u vendos masa e arrestit me burg dhe i riu shqiptar u zhduk, ose të paktën kështu mendonte ai.
Enri Hardolli dhe Ervin Hardolli, të dy nga Shkodra
Ndërkohë, karabinierët e Cittadellas, të koordinuar nga prokurori Benedetto Roberti, çmontuan një rrjet të rëndësishëm të shpërndarjes së kokainës në zonën e Alta Padovanas. Në rrjetë përfundoi një italian, ndërsa hetimet zbuluan furnitorin e tij, nga ku doli edhe emri i Enri Hardollit.
Italiani kishte shpërndarë doza kokaine kryesisht te klientë italianë, mes tyre edhe profesionistë, përfshirë një arkitekte së bashku me bashkëshortin e saj. Hetuesit, në një kohë të shkurtër, rindërtuan lëvizjet e shqiptarit dhe zbuluan se prindërit e tij jetonin në Mestre, ndërsa ai banonte në Spinea.
Karabinierët pyetën babanë e 28-vjeçarit nëse kishte kontakte me të birin, por ai e mohoi. Kjo i shtyu hetuesit ta ndiqnin dhe zbuluan se disa herë në muaj ai udhëtonte drejt Spanjës me avion. Në këtë pikë, Prokuroria kërkoi dhe mori një urdhër arresti për Enri Hardollin, dhe në fillim të marsit Guardia Civil, policia spanjolle, e gjeti dhe e arrestoi në Barcelonë.
Aktualisht, i riu shqiptar nga Shkodra ndodhet i burgosur në burgun e Montorio Veronese. Sipas hetuesve, kontaktet e tij me shpërndarësin italian kanë vijuar deri në tetor të vitit 2023.
Hetimi i Triestes nxori nga qarkullimi sasi të mëdha kokaine kolumbiane: droga nga Amerika e Jugut u transportua me një anije mallrash deri në portin e qytetit. Në total, Guardia di Finanza sekuestroi katër tonë kokainë. Trafiku ndërkombëtar u godit falë një ushtaraku të infiltruar, i cili më 17 maj 2021 dorëzoi 300 kilogramë kokainë një bosi kolumbian në Trieste, për të mos ngritur dyshime mbi “vendin e sigurt”.
Nga sekuestrimet dhe rikuperimi i drogës, 135 kilogramë u rikthyen, ndërsa 150 kilogramë të tjerë nuk u arrit të gjenden. Mes emrave të përfshirë në trafikun e drogës doli edhe ai i Enri Hardollit. Ndërkohë, italiani i kapur në flagrancë nga karabinierët tashmë ka pranuar dënimin e tij përmes marrëveshjes me drejtësinë.
