Është ekstraduar nga Italia drejt Shqipërisë shtetasi Aleks Ndreka, i arrestuar në Itali pasi ishte shpallur në kërkim në kuadër të operacionit “Metamorfoza”.
Ndreka ishte vendosur më herët nën masën e sigurisë “arrest në burg” në mungesë, i dyshuar për përfshirje në grup të strukturuar kriminal dhe për sigurimin e kushteve dhe mjeteve për kryerjen e vrasjeve.
Sipas Policisë së Shtetit, ekstradimi u realizua në vijim të bashkëpunimit me autoritetet italiane.
“Në vijim të koordinimit të veprimeve operacionale, me homologët italianë, nëpërmjet specialistëve të Interpol Tiranës dhe specialistëve të Interpol Romës, gjatë kësaj faze të operacionit ndërkombëtar të koduar ‘The Wanted’, u finalizua procedura për ekstradimin nga Italia, në Shqipëri, të shtetasit A. N. alias A. D., 49 vjeç.
49-vjeçari ishte në kërkim ndërkombëtar, sepse Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, në vitin 2023, i ka caktuar masën e sigurisë ‘Arrest në burg’, për veprën penale ‘Sigurimi i kushteve dhe i mjeteve materiale për të kryer vrasje’, kryer në kuadër të grupit të strukturuar kriminal.
Shtetasi A. N. alias A. D. akuzohet se pasi ka siguruar informacion mbi vendndodhjen e 3 shtetasve shqiptarë, ka organizuar dhe ka koordinuar bashkëpunëtorët e tij, duke organizuar prita, me qëllim vrasjen e tyre”, njofton policia.
Aleks Ndreka (Deda) konsiderohet një personazh i njohur në botën e krimit, kryesisht në zonat e Lezhës dhe Shkodrës.
I njohur ndryshe edhe si “Leksi i Druve”, ndaj tij janë organizuar disa atentate ndër vite, përfshirë edhe tentativa të sofistikuara, si ajo me dron.
Ai është një nga 15 personat e shpallur në kërkim nga SPAK në kuadër të operacionit “Metamorfoza”.
Sipas dosjes së SPAK, ish-deputeti i Partisë Socialiste, Arben Ndoka, dyshohej se kërkonte eliminimin e Ndrekës, pasi e konsideronte të përfshirë në vrasjen e vëllait të tij, Aleksandër Ndoka.
Nga hetimet janë zbardhur edhe komunikime që tregojnë se Behar Bajri kishte kontraktuar Aleks Ndrekën dhe Prek Kodrën për të mbledhur informacione mbi vendndodhjen e Dorian Dulit dhe Genc Tafilajt.
Të dhënat e siguruara dërgoheshin përmes aplikacionit “Sky” te Bajri, i cili më pas aktivizonte një grup të armatosur, të gatshëm për të kryer atentate.
Ndërkohë, në dëshminë e tij, Genc Tafilaj ka deklaruar se:
“…në varrimin e Indrit Rrajës, ka qenë edhe Aleks Ndreka, i cili është afruar dhe më ka takuar së bashku me Dorian Dulin…”.
Po nga e njëjta dosje hetimore rezulton se ndaj Ndrekës janë organizuar disa tentativa për vrasje, përfshirë edhe metoda të avancuara si përdorimi i dronëve, të cilat kanë dështuar.
Dyshohet se këto atentate lidhen me konflikte të forta kriminale, ku përfshihen emra si Ardian Nikulaj dhe Durim Bami.
Në 30 qershor 2020 është shënuar atentati i parë ndaj tij, ndërsa një tjetër ndodhi në dhjetor të po atij viti, kur një automjet “Audi” u qëllua me armë zjarri, duke e lënë të plagosur.
Pavarësisht se i mbijetoi këtyre sulmeve, Ndreka u largua nga Shqipëria për t’iu shmangur rrezikut, duke deklaruar në atë kohë se nuk kishte konflikte direkte me persona të caktuar.
Ai u rikthye në Shqipëri më 6 mars 2022, por vetëm një ditë më pas u bë sërish objekt i një atentati, teksa doli nga një lokal. Në të njëjtin muaj, ai i shpëtoi edhe një tjetër sulmi.
