Policia e Shkodrës ka goditur një tjetër rast të tentativës për kultivim të bimëve narkotike, në kuadër të operacionit të koduar “Faza e parë”, që po zhvillohet në të gjithë qarkun.

Gjatë kontrolleve në territor, në fshatin Mali i Gjymtit, shërbimet e Policisë zbuluan dhe sekuestruan një numër të konsiderueshëm fidanësh të dyshuar narkotikë kanabis, të sapombjellë në tokë, në vendin e quajtur “Këneta”, njësia administrative Dajç.

Si rezultat i operacionit, u vunë në pranga Pjeter Daka, 60 vjeç dhe Artur Daka, 41 vjeç, babë e bir, banues në fshatin Dajç, të cilët dyshohet se kishin kultivuar fidanët e konstatuar nga Policia.

Kontrollet janë zhvilluar në zbatim të planit operacional për parandalimin dhe goditjen që në fazë fillestare të kultivimit të bimëve narkotike.

🔎 Policia bën me dije se operacioni antikanabis “Faza e parë” vijon, ndërsa kontrollet do të intensifikohen në të gjithë territorin e qarkut për identifikimin dhe goditjen e rasteve të tjera.

Share.
error: Content is protected !!