Më 26 shtator, Policia e Shtetit, përmes një komunikate zyrtare për shtyp, njoftoi procedimin penal për dy mjekë të Spitalit Rajonal të Shkodrës, Genc Nurja dhe Dhurata Uruçi, me profesion mjekë neurologë në Spitalin Rajonal të Shkodrës, për veprat penale “Mjekim i pakujdesshëm” dhe “Shpërdorimi i detyrës”, pasi dyshohet se kanë kryer mjekim të pakujdesshëm dhe kanë neglizhuar në trajtimin e shtetasit F.K., 40 vjeç, i cili ka ndërruar jetë më pas në Spitalin “Nënë Tereza”, Tiranë.

Njoftimi i Policise se Shtetit

VeriuSot ka gjurmuar më tej këtë çështje. Nga burime të siguruara, 40-vjeçari ka ndërruar jetë në fund të muajit gusht me 29, pasi u paraqit sërish pranë urgjencës së Spitalit Rajonal të Shkodrës, në gjendje të rënduar shëndetësore. Më tej, ai është transportuar me urgjencë drejt QSUT-së në Tiranë, ku edhe ka ndërruar jetë.

SHTRIMI NE SPITAL 1 MUAJ E GJYSEM ME PARE

Sipas kartelës së pacientit të siguruar, 40-vjeçari ishte shtruar rreth një muaj më parë në Spitalin Rajonal të Shkodrës, ku për një javë, nga data 3 korrik deri më 10 korrik, ka qëndruar i shtruar dhe është trajtuar për hernie diskale, gjë e cila vërtetohet edhe nga kartela mjekësore.

Në kartelën e pacientit pasqyrohen diagnoza, mjekimi i kryer, kontrollet, rezonanca magnetike (MRI), e cila ka evidentuar problemet në shtyllën kurrizore, si dhe problemet në lëvizjen e këmbës së majtë, të ndikuara nga hernia diskale. Po ashtu, në dokumentacionin mjekësor pasqyrohet urdhri për shtrimin në repartin e Neurologjisë, ku pacienti do të trajtohej për simptomat, si dhe fleta e daljes nga spitali..

Pas daljes nga spitali, më 10 korrik, pacienti ka qenë aktiv dhe ka vijuar normalisht aktivitetin e tij.

DALJA NGA SPITALI DHE RIKTHIMI

Por, rreth 50 dite më vonë, ne fundin e muajit Gusht, dyshohet se ai është prekur nga një sëmundje infektive, e cila dyshohet se ka shkaktuar përkeqësimin e gjendjes së tij shëndetësore dhe më pas fatkeqesisht ka nderruar jete. Dyshimet jane se 40 vjecari eshte infektuar nga hantavirusi, i njohur si “sëmundja e miut”, një infeksion viral dhe jo për një sëmundje neurologjike. Ai eshte paraqitur ne urgjencen e spitalit rajonal te Shkodres, ne gjendje te renduar shendetesore dhe eshte derguar menjehere drejt QSUT ne Tirane ku ka nderruar jete me pas.

SEMUNDJA E MIUT

Ky është një infeksion që nuk lidhet me trajtimin neurologjik dhe pikërisht kjo lidhje duhet të sqarohet përmes ekspertizave mjekësore dhe procesit gjyqësor.

Neurologjia merret me diagnostikimin dhe trajtimin e sëmundjeve të sistemit nervor, përfshirë trurin, palcën kurrizore dhe nervat periferikë, jo me semundjet infektive.

Disa nga problemet që trajton neurologu janë:

  • Dhimbjet e kokës dhe migrena;
  • Marramendja dhe çrregullimet e ekuilibrit;
  • Epilepsia dhe krizat konvulsive;
  • Goditjet në tru (insulti);
  • Parkinsoni dhe çrregullime të tjera të lëvizjes;
  • Skleroza multiple;
  • Neuropatitë – mpirje, djegie ose dhimbje në duar dhe këmbë;
  • Dobësia e muskujve kur shkaku dyshohet neurologjik;
  • Sëmundjet e nervave dhe muskujve;
  • Çrregullimet e kujtesës dhe demencat;
  • Dhimbjet me origjinë nervore, përfshirë disa raste të dhimbjes së shpinës dhe qafës;
  • Hernia diskale, kur shkakton komprimim të nervave dhe simptoma neurologjike.

Pra, neurologjia nuk është specialiteti që trajton sëmundjet infektive. Në këtë kuadër, procedimi penal ndaj dy mjekëve neurologë, Genc Nurja dhe Dhurata Uruçi, eshte shume i cuditshem pasi infeksioni i pacientit nuk ka asnje lidhje me profesionin e tyre.

Seanca gjyqësore dhe ekspertizat përkatëse do të sqarojnë rrethanat e kësaj ngjarjeje, të përcaktojnë përgjegjësitë dhe t’i japin fund pikëpyetjeve dhe akuzave ndaj dy mjekëve, të cilat kanë ndikuar edhe në imazhin e tyre profesional. Genc Nurja dhe Dhurata Uruçi janë dy mjekë me rreth 40 vite eksperiencë në profesion, gjatë të cilave kanë shërbyer në sistemin shëndetësor dhe u janë përkushtuar qindra pacientëve. Kontributi i tyre ndër vite është vlerësuar edhe nga pacientë dhe familjarë të shumtë, të cilët kanë njohur nga afër punën, përkushtimin dhe profesionalizmin në shërbim të pacientëve.

Pikërisht për këtë arsye, sqarimi i plotë i kësaj çështjeje është i rëndësishëm jo vetëm për përcaktimin e përgjegjësive, por edhe për të vendosur në vend faktet dhe për të shmangur çdo akuze të parakohshme mbi punën dhe figurën profesionale të dy mjekëve. Nëse nga hetimi dhe ekspertizat do të rezultojë përgjegjësi, ajo duhet të përcaktohet qartë dhe të përgjigjen personat përgjegjës përpara drejtësisë, jo te tjeret !

Share.
error: Content is protected !!