TIRANË – Gjykata e Posaçme ka dënuar shtatë personazhe të njohur të botës së krimit, mes tyre “të fortin e Niklës”, Durim Bamin, nipin e Astrit Avdylajt, Aldo Avdylajn, ish-efektivin Altin Morina dhe shkodranin Jozi Kraja.
Të pandehurit janë shpallur fajtorë për disa ngjarje kriminale të zbardhura në kuadër të dosjes “Revanshi”, e cila lidhet me aktivitetin e shtatë grupeve kriminale në qytete të ndryshme të vendit, përfshirë Lezhën, Durrësin, Krujën, Tiranën, Vlorën dhe Burrelin.
Dënimin më të lartë e ka marrë Durim Bami, për të cilin SPAK kishte kërkuar 14 vite burg, ndërsa GJKKO e dënoi me 10 vite e 8 muaj burg, me gjykim të shkurtuar.
Bami u shpall fajtor për tentativën për vrasjen e ish-deputetit të PS-së, Arben Ndoka, si edhe për kultivim narkotikësh në kuadër të grupit të strukturuar kriminal. Ndërkohë, gjykata e ka shpallur të pafajshëm për akuzën e tentativës për vrasjen e Tori Xheçukës dhe Erigers Mihasit.
Në listën e të dënuarve është edhe Jozi Kraja, shkodran i njohur edhe si Jozi Ndoj. Për të dhe Aldo Avdylajn, SPAK kishte kërkuar nga 6 vite e 8 muaj burg, me gjykim të shkurtuar.
GJKKO i dënoi të dy me nga 4 vite e 8 muaj burg, duke i shpallur fajtorë për sigurimin e kushteve dhe mjeteve për vrasje dhe pjesëmarrje në grup të strukturuar kriminal.
Sipas hetimeve të SPAK, Kraja dyshohet se kishte rol në sigurimin e kushteve për eliminimin e vëllezërve Durim dhe Valter Bami, duke vepruar si vëzhgues, lokalizues dhe bashkëpunëtor.
Jozi Kraja, nga Shkodra te dosja “Revanshi”
Jozi Kraja, i njohur edhe si Jozi Ndoj, është 37 vjeç dhe me origjinë nga Shkodra. Ai u ekstradua nga Zvicra në Shqipëri në janar 2026, pasi ndaj tij GJKKO kishte caktuar masën e sigurisë “arrest në burg” në kuadër të dosjes “Revanshi”.
Në dosjen “Revanshi”, SPAK e akuzoi Krajën për sigurim të kushteve dhe mjeteve për kryerjen e vrasjes, si dhe për pjesëmarrje në grup të strukturuar kriminal. Sipas akuzës, gjatë një periudhe disa-vjeçare, ai kishte pasur rolin e vëzhguesit dhe lokalizuesit të Durim Bamit, duke raportuar për lëvizjet e tij.
Lidhja me Gjin Ndojin
Një tjetër element i rëndësishëm në profilin e Krajës është Gjin Ndoji, i njohur edhe si Gjin Boriçi, vëllai i tij.
Gjin Ndoji u vra më 8 gusht 2020 në Vaun e Dejës. Emri i tij është shfaqur në hetimet e SPAK dhe në dosjen “Metamorfoza”, ku janë përdorur edhe komunikime të zbardhura nga aplikacioni SKY ECC.
Jozi Kraja ka dëshmuar në GJKKO në procesin për vrasjen e vëllait të tij. Ai është paraqitur në këtë proces si vëllai i viktimës, ndërsa SPAK ka kërkuar që dëshmia e tij të merret në kuadër të hetimit të kësaj ngjarjeje.
Në këtë dosje janë dënuar gjithashtu Oltion Zefi, Edson Jozwik, Henerigert Mitri dhe Altin Morina, me masa të ndryshme dënimi.
Në respektim të parimit të prezumimit të pafajësisë, të parashikuar në nenin 4 të Kodit të Procedurës Penale të Republikës së Shqipërisë, personi i dyshuar/arrestuar prezumohet i pafajshëm deri në vërtetimin e fajësisë së tij me vendim gjyqësor të formës së prerë.
