LUFTA PËR SHKODRËN (11 tetor 1912-22 prill 1913)

“Gjithmonë Shkodra me këto halle
Kurrë nuk pati rehati
Ju shkoj moti nepër male
Tue luftue me Mal të Zi”
Popullore

Luftë, që përbën një epope ndër më heroiket, ndër më të guximshmet që forcat mbrojtëse të Shkodrës, qytetarë dhe fshatarë, muslimanë dhe katolikë, të rinj, pleq por edhe gra, nga gjithë hapësira shkodrane por edhe nga qytete të tjera, luftëtarë të ushtrisë turke me në krye Hasan Riza Pashen, zhvilluan në mbrojtje të Shkodrës nga sulmet malazeze. Lufta nga populli është quajtur Muhasere (rrethim). Kjo luftë lindi si rezultat i synimit që kishte Mali i Zi, në bashkëpunim me Serbinë, për të pushtuar territore shqiptare në bazë të një aleance të fshehtë ballkanike Mal i Zi-Serbi-Bullgari-Greqi. Mali i Zi mbasi kishte pushtuar shumë toka të hapësirës shkodrane, nder të cilat Podgoricen, Tivarin, Ulqinin por edhe Plaven dhe Gucinë, tenton të pushtojë Shkodrën në tetor të vitit 1912.

Pavarësisht se luftimet përbëjnë nje epope në historinë e Shkodrës për të cilën kanë shkruar disa autorë, në këtë postim unë do të tregoj kontributin e shkodranëve në këtë luftë, aktet sublime të tyre Kjo nisur nga kërkesa që shumë nga dëshmorët nuk janë shumë të njohur bile as të përkujtuar, por edhe të harruar.

Por jo vetëm shkodranët por ajo që e bën këtë luftë ndoshta ndër të rrallat dhe më unikalet në historinë e luftërave të shqiptarëve kundër armiqve, është pjesëmarrja e një numri të madh te shqiptarëve të krahinave të tjera nga Dibra, Mati,Durrësi, Tirana, Elbasani, Peqini, Berati, Shijaku, Devolli, Kruja, Lushnja, Gramshi, deri te Korça e Gjirokastra, etj. Shumë prej tyre luftuan me trimëri, ranë dëshmorë, u plagosen, por asnjëherë nuk e trathtuan mbrojtjen e tokës shkodrane. Por nuk duhet harruar edhe kontributi i rregjimentit turk, kryesuar nga Hasan Riza Pasha. Por së pari respekt të veçantë në këtë luftë do u jepet atyre që erdhen anë e anë të Shqipërisë për të mbrojtur Shkodren.

Në mënyrë të veçantë pjesëmarrja e dibranëve ka qenë jo vetëm më masivja, por lufta dhe rezistenca e tyre ndër më heroiket. Pavarësisht se shifrat që japin burime të ndryshme janë ndoshta edhe të hiperbolizuara por masiviteti, guximi dhe trimëria e luftëtarëve dibranë mbeti një lapidar, i pakrahasueshëm me të tjerët në historinë e luftërave për çlirim kombëtar, e shprehur në një vendosmëri të pashembullt që ato do të tregonin për të mbrojtur Shkodrën, shprehur në vargjet e një kënge popullore:

“Njerëz sa të kemi bukë me ngranë/ Do ta mbajmë Shkodren me dhambë”.

Më e lavdishmja në luftërat ishte “Beteja e Bërdicës” që u quajt “Kasaphaha e Bërdicës” nga numuri i madh i të rënëve dhe të plagosurve nga të dy anët pjesëmarrëse në luftë.. Sipas gazetarit italian Gino Berri, që ishte dëshmitar okular, i cili ka përshkruar Luftën për mbrojtjen e Shkodrës në vitet 1912-1913, kundër forcave serbo-malazeze, tregohet se në këtë luftë kanë marrë pjesë 4000 dibranë. Kurse sipas të dhënave të Prof Gazmend Shpuzës tregohet se …. 1000 e ca dibranë vijonin të luftonin në mbrojtjen e Shkodrës….”.

Humbjet në njerëz nga dy anët e forcave pushtuese dhe mbrojtëse në burime të ndryshme jepen të ndryshme pa patur një statistikë të saktë. Mendohet se nga serbo-malazezët u vranë 1500 ushtarë kurse nga vullnetarët afro 650 të vrarë. Numri i të plagosurve është akoma më i pa qartë por një gjë është e sigurtë: streset dhe lodhja në luftë, sëmundjet, plagosjet, dhe urija në këtë luftë lanë shumë viktima që edhe pse nuk ranë në luftë vdiqen edhe mbas mbarimit të saj. Tregimet e pleqve për këtë luftë janë nga më emocionueset. Personalisht baba I jem më ka treguar që njerëzit nga uria janë ushqyer me barishte, vetë ai kishte kenë present në vrasjen dhe plagosjen e shumë shkodranëve.

Në disa burime të tjera jepet se në këtë luftë u zunë rob 276 serbë, 7 prej të cilëve oficerë. Gjatë gjithë luftimeve për mbrojtjen e Shkodrës, u vranë 300 dibranë, 120 prej të cilëve vetëm në Bërdicë dhe 40 të tjerë në Han të Hotit, ku edhe sot janë “Varret e Dibranëve”. Por jo te gjithe jane identifikuar. Në këtë betejë secila prej krahinave të Dibrës kishte ardhur me flamurin dhe flamurmbajtësin e vet. Flamurin e Katër Grykëve e mbante trimi nga Qafë Murra, Ismail Nika, atë të Lurës e mbante trimi i fisit Mena, bajraktari i Lurës, përfaqësuesi i krahinës së Lurës në Lidhjen Shqiptare të Prizrenit, Ali Mena. Lufta qe e ashpër dhe nuk kurseu as flamurmbajtësit e tyre. U vra Ali Mena, Sul Buci, Isuf Mena, Dem Perleka por duke mos e lanë flamurin të binte përtokë, atë e kap trimi i Katër Grykëve,Ismail Nika. Janë shumë emocionuse fjalët që një dibran i thotë një shkodrani (përmendur në romanin e S.Drinit “Vraje trathtinë”): “Amani mor shkodranë. Po ramë në fushën e betejës mos na lini aty, na varrosni në varret tuaja”

Pavarësisht se numri i dëshmorëve dibranë në Luften për Mbrojtjen e Shkodrës, është mbi 100 vetë, në librin e Fatos M. Dacit “Të pavdekshit”jepet se heronjtë dhe dëshmorët e Dibrës, të identifikuar, (në bazë të arkivave të gjetura dhe tregimeve gojore), të rënë në luftën kundër serbëve e malazezëve në Shkodër e Lezhë 1912-1913, janë 25 veta( në fakt të shënuar janë 24 dëshmorë). Këto të rënë në luftime kundër ushtrive serbo-malazeze në Shkodër e Lezhë, 1912-1913, janë shpallur dëshmorë të atdheut me vendimin nr.72,datë 23.05.1978, të Këshillit Popullor të Rrethit Dibër:

Nr Emri e mbiemri Vendlindja Viti i rënies, vendi
1 Isuf Kurt Bodini, Lukan, 1913, Lezhë
2 Hasan I. Iskurti, Pollozhan, 1913, Shkodër
3 Jashar E. Karahasani, Brezhdan -“-
4 Selë M. Selxhaferi, Zdojan -“-
5 Hazis Ndregjoni -“- -“-
6 Islam Sadik Reçi -“- -“-
7 Hasan Idriz Kola -“- -“-
8 Hysen Elmaz Elmazi,Trebisht, Çelebi -“-
9 Selko Qerim Qerimi -“- -“-
10 Haxhi Jonuz Jonuzi -“- -“-
11 Rushit Zenel Bala, Trebisht Bala -“-
11 Haki Ismail Raska Arras -“-
12 Shaban B. Lusha -“- -“-
13 Imer Sulë Kukeli, Mustafë -“-
14 Xhetan Fali Kola, Çidhen -“-
15 Destan Sulë Kukeli, Mustafe -“-
16 Tafë Lam Pashnjari Sinë e Sipërme -“-
17 Shaban Hakak Tola, Blliçe -“-
18 Xheladin M Seferi Arape e Poshtëm -“-
19 Tafë Llan Dashi, Muhur -“-
20 Nezir Demir Lica, Selisht -“-
21 Selman S. Dervishi, Lukan 1913, Lezhë
22 Ramazan Proseku, Brest i Poshtëm 1913, Shkodër
23 Tahir Çup Lleshi, Kastriot -“-
24 Han Abaz Bitri, Laçes -“-

Sipas studimit të autorit Xh. Martini në këto luftime për mbrojtjen e Shkodrës dhanë jetën 114 dibranë, midis tyre edhe shumë nga fisi Ndregjoni ku Dine Hoxha ishte nip. Pavarësisht se nuk janë në listen e shpallur të dëshmorëve të Dibrës, në Luften për mbrojtjen e Shkodrës, kanë rënë edhe qindra të tjerë dëshmorë nga disa krahina të Dibrës, si p.sh. ato të Lurës Ali dhe Isuf Mena, Sul Buci, Dem Perleka. Po kështu një poezi e Ymer Elezit u kushtohet trimërisë së djemve nga fisi Mziu të rënë në këtë luftë, që nuk janë në listen e shpallur më sipër, si Ibrahimi, Hyseni, Shabani e Daliu.

Në kujtim të kësaj lufte kompozitori Zef Çoba, gjatë viteve që ai ka punuar në Peshkopi (1973-1980) ka kompozuar këngën “Na ka çue Shkodra një fjalë” me vargje të Hazis Ndreut, ku evokohet nevoja e Shkodrës për ndihmë dhe i kërkohet Dibres me i dal zot,”se kalane ma kan rrethue”.

Nga organika e rezervistëve shqiptarë të Elbasanit thuhej se ky divizion përbëhej nga katër regjimente: i Tiranës, i Elbasanit, i Beratit dhe i Durrësit. Vetë regjimenti i Tiranës përbëhej nga tre batalione: i Tiranës, i Shijakut dhe i Krujës. Pjesëmarrja e batalionit të rezervistëve “Erzeni të Shijakut” me afro 500 vetë, u përjetësua në këngët popullore:
“Sot t’i dalim zot vatanit/ Për në Shkodër turra vrap/Të luftojme me Karadak/ T’a përzejmë prej Shqipnis/Shumadijen e Serbisë/.. N’kambë, o trimat e Shijakut/T’ shkojm t’i bijmë, ne, Karadakut

Nga qyteti i Shijakut morën pjesë si rezervistë e vullnetarë rreth 50 burra, si: Sure Keçi, Ahmet Deliallisi, Ahmet Kalleshi, Shaqir Dashi, Halil Domi, Beshir Sabli, Sulë Dervishi, Ismail Kasa, Abdulla Çelbeqiri, Sali Zuriqi, Jusuf Shahini, Veli Abazi, etj. Përfshirë dhe katundet përreth, që ishin nën administratën e tij, dhanë jetën në fushën e nderit 73 luftëtarë dhe trupat e tyre, populli i Shkodrës i varrosi në gjirin e ngrohtë të tokës së vet,

*Disa nga dëshmorët nga Shijaku, që mbahen mend nga të vjetrit, ishin : Hasan Meu, Shaqir Dashi, Musa Gjepali e Halil Domi., kurse ato që u plagosen rëndë përfshirë edhe zëvendëskomandantin, Hafiz Maliq Jakova, ishin Abdulla Keçi, Sure Keçi, Ramë Kasa. Gjithashtu në këtë luftë ranë 49 luftëtarë vullnetarë nga Kavaja dhe më 1993 Këshilli Bashkiak i Kavajës i ka shpallur dëshmorë.

  • Lufta e Taraboshit që zgjati 6 orë ka qenë një nga betejat më të ashpra gjoks më gjoks por edhe më të lavdishme të popullit, vullnetarëve anamalas dhe shkodranë si dhe atyre të batalioneve turke të kryesuara nga majori Sadetin Bej. Në këtë betejë armiku la shumë të vrarë, por edhe ranë shumë dëshmorë shkodrane dhe turq. Vetëm nga Ana e Malit kanë rënë dëshmorë 15 anamalas, nga të cilët: Ali Mujo Duli (1886, Muriq), Dan Jakupi (1870, Oblikë), Elez Jakup Hoxha (1867, Shtuf), Islam Beqir Alija (1860, Oblikë), Lan Resuli (Oblikë), Mem Muriqi (1872, Zues), Met Bajram Kopshti (1865, Oblikë), Muho Sykja (1871, Brajshtë), Rame Fasli Ramja (1878, Dahat), Reshit Adem Muhja (1886, Krebaj), Rexhep Islam Haxhija, (1880, Oblikë), Sadik Lika ( Brajshtë), Salih Beqir Xhaka (1889, Bobot), Selim Fetah Mani (1860, Krebej), Shaban Gjoni (Selitë). Kënga popullore thuri vargjet:
    ”Anamalsit bashkë janë ba/ e tanë flasin me një za/ ma kadalë mor lëngatë e lëngatës/ nuk ma shklet mallin e babës/ ma kadalë he thi i zi/ nuk t’la rrugë n’Shkodër me hi.

Në kujtim të rezistencës anamalase në Luften e Taraboshit të v. 1912, në Oblikë, afër ndërtesës së Komunës “ Ana e Malit”është vendosur monumenti përkujtimor prej një blloku guri

*Në Postribë , në Luften e Bardhajve, më 29 dhjetor 1912 kanë rënë dëshmorë 60 burra dhe jane plagosur mbi 70 vetë.

Ja dhe lista e 45 dëshmorëve nga Shkodra dhe fshatrat e saj, shpallur me vendimin nr. 7, datë 12.I.1987, të Komitetit Ekzekutiv, të Këshillit Popullor të Rrethit Shkodër (dhënë nga Muhamet Shala, ku gjyshi i tij Reshit Sulejman Shala ka rënë dëshmor) :

Musa Abdullah Karini (1884, lgj. Rus), Temo Muharrem Gërçari (1882, lgj. Rus), Musa Muharrem Gërçari (1885, lgj. Rus), Hasan Muhamet Halluni (1885, lgj. Rus), Taip Adem Dema (1889, lgj. Rus), Man Ymer Gjeloshi (1896, lgj. Tophanë), Abdi Hysen Hyseni(1880, Drisht), Dervish Ago Perviziz (1887, Bushat), Shaqir Oso Zeqia (1880, Dudas), Haxhi Muharrem Fiku (1885, Ndocej), Asllan Haxhi Osja (1884, Dudas), Xhelil Mehmet Fishta(1860, Rus), Reshit Sulejman Shala (1862, Rus), Oso Ujk Osja (1867, Reç), Ndok Pllumb Pllumbi(1861, Mali Kolaj), Abdi Hysen Hysaj (1886, Mes Myselim), Arif Hysen Kotureli (1895, Domen), Haxhi Hysen Uruçi (1870, Domen), Bajram Osman Bubaj (1864, Drisht), Selim Bajram Ulikaj (1870, Drisht), Haxhi Adem Ulikaj (1874, Drisht), Halil Mehmet Çelaj (1867, Drisht), Nuh Ahmet Çelaj (1865, Drisht), Mustaf Hysen Çelaj(1867, Drisht), Haxhi Dash Çelaj, (1837m, Drisht), Lice Murat Bushaj (1855, Drisht), Myrto Dan Boçja( 1882, Drisht), Reshit Beqir Bolej (1878, Drisht), Isuf Shaban Dushaj, ( 1875, Drisht), Selim Mehmet Dani (1890, Mes), Seit Ramadan Ligotaj (1872, Vilez), Shaban Bajram Fixha (1887, Vilëz), Malok Mehmet Papaj (1852, Vilez), Sulo Malok Popaj (1870, Vilez), Cen Ymer Rexhaj(1882, Vilez), Selim Ram Vulaj (1882, Ura e Shtrenjtë), Selim Zenel Bibaj (1890, Ura e Shtrenjtë), Lil Nuz Halili (1872, Dragoç), Zeqir Mustaf Bushaj (1863, Kullaj) Idriz Bajram Bajrakatari(1882, Kullaj), Xheluc Mark Perpaj (1860, Shakot), Caf Tahir Memaj (1882, Velipojë), Hasan Halil Mija (1890, Velipojë), Jak Vasil Lazri (1829, Velipojë), Alo Mujo Duli (1872, Velipojë).

Disa vërejtje dhe rekomandime për këtë luftë.

  1. Në Fjalorin enciklopedik shqiptar të vitit 1985 kjo luftë emërtohet si “Beteja për Shkodren” ku janë shkruar vetëm 6-8 rreshta. Në Fjalorin enciklopedik të vitit 2008 kjo luftë është përshkruar përsëri “Beteja për Shkodren “ ku nuk përmendet fare kontributi mbarë shqiptar i disa karahinave që erdhen, luftuan dhe ranë dëshmorë në këtë luftë. Si mund të quhet beteje kur kjo ishte luftë e vërtetë mbrojtëse, midis dy qeverive që zgjati 6 muaj me pasoja të rënda ekonomike djhe politike ku përfshihen shumë beteja. Këto beteja në kohë të ndryshme u zhvilluan në Tarabosh, Bardhej, Beltojë, Berdicë, Kakarriq, Hot etj.Të shkruajë këtë ze në Fjalorin Enciklopedik një historian dhe ta quajë betejë është e pafalshme.
  2. Sa dijnë të rinjtë për këtë luftë që edhe këtë postim, për këtë histori vetëm në disa rreshta pritojnë të lexojnë që është historia e Shkodrës e cila ndenji e rrethuar për 6 muaj nën kërcënimin e topave, varfërisë, urisë dhe vuajtjeve?
  3. Më thojnë shkruaj gjatë por kjo që po postoj asht një pjesë tepër e vogël e kësaj historije të madhe. Sa vetë dijnë për këto dëshmorë që janë rreshtuar më sipër. Mos harroni idiomen :
    “Historia është mësuese e mirë dhe popujt janë nxënës të këqij dhe mos u çudisni se ajo mund të përsëritet.
  4. Kur kam qenë njëherë në Kosovë , një kosovare që kishte qenë pjesëmarrëse në Luften e Kosovës më tha: Çfarë dini ju shkodranët për luften me serbët. Luftë kemi bërë ne jo ju. Mos moj zonjë i thashë: Ne shkodranët kemi luftëra shekullore me malazezët dhe serbët. Kemi luftuar për mbrojtjen e tokave shqiptare, si: Lufta e Muriqit, Lufta e Vraninës me Oso Kuken, Lufta e Kërricës(Kërnicës), Lufta për mbrojtjen e Shpuzës, të Podgoricës, të Hotit e Grudës, Plavës dhe Gucisë, Tivarit, Ulqinit, Lufta për mbrojtjen e Shkodrës, Lufta e Koplikut. Kjo ndodh pra të dashur miq kur nuk njohim historinë e njeri tjetrit e veçanarisht të momenteve kulmore të luftërave tona.
  5. Si ka mundësi që në Shkodër nuk kemi një monument të kësaj lufte të pashembullt në historinë e luftërave për çlirim kombëtar me një pjesëmarrje shumë të gjëre nga gjithë krahinat e Shqiperisë. Po çfarë duhet të kujtojmë kur nuk kujtojmë këtë luftë kaq të rëndësishme jo vetëm në historinë e Shkodrës por mbarë kombit?

A dihet se në parathënien e librit “Mbrojtja e Shkodrës” kryetari i shtatmadhorisë turke, marshalli Mustafa Fevzi Çakmak, e quan mbrotjen e Shkodrës si një legjendë, shembull i krenarisë kombëtare duke rekomanduar që të zhvillohet si mësim në shkollat ushtarake. Po në shkollat tona a përmendet kjo luftë mbrojtëse? Sa konferenca shkencore janë bërë për këtë temë që duhet të zhvilloheshin për çdo vit në përkujtim të saj.

  1. Unë po i baj një propozim Këshillit Bashkiak Shkodër: Me që po rikonstruktohet Lulishta e Pazarit, ju lutem me ndjenjën e një qytetareje shkodrane që e don fort qytetin e saj, mendoni dhe vendosni një përmendore në kujtim të kësaj lufte, në përkujtim të kushedi sa dëshmorëve . Ky monument do jetë një prelud i lavdishëm i kësaj lufte ku shumë të rinj , të moshuar, gra dhe burra kur të vijnë në këtë lulishtë të kujtohen për mbrotjen e lavdishme të Shkodrës. Mos harroni se pikërisht në këtë lulishtë ku ishte Pazari i vjetër, malazezët kur u larguan nga Shkodra, të detyruar nga Fuqitë e Mëdha, dogjen një pjesë të mirë të këtij pazari prandaj asht taman vendi për tu rikujtuar.

A do na vini vesht njëherë????

LAVDI TË PËRJETSHME DËSHMORËVE TË KËSAJ LUFTE!

FOTO 1Çaste lufte në mbrojtjen e Shkodrës më 1912
FOTO 2. Ali Mena bajraktari i Lurës i vrarë në Kakarriq të Lezhës me nipin e tij Isuf Mena
FOTO 3 Monumenti në Oblikë në përkujtim të Luftës 1912-1913
FOTO 4 Rexhep Damnori, një nga pjesëmarrësit e Luftës për Mbrojtjen e Shkodrës

Share.
error: Content is protected !!