Deputetja e Partisë Demokratike, Greta Bardeli, ka reaguar ashpër ndaj asaj që qeveria e ka prezantuar si “Paketa e Maleve”, duke e cilësuar atë si një mashtrim të radhës për qytetarët e zonave malore dhe jo një skemë reale zhvillimi.

Sipas Bardelit, kjo paketë po shitet si histori suksesi, ndërsa në terren realiteti është krejt tjetër: mijëra familje vijojnë të përballen me pengesa serioze për të marrë dokumentet e pronësisë, duke mos pasur mundësi të zhvillojnë tokat e tyre të trashëguara prej brezash.

Ajo thekson se burokracia, korrupsioni dhe abuzimet në zyrat shtetërore po e mbajnë peng zhvillimin e këtyre zonave, ndërsa qytetarët përballen me vonesa, pasiguri dhe, sipas saj, edhe raste të kërkesave për ryshfet.

Bardeli ngre gjithashtu shqetësimin se, pavarësisht premtimeve për zhvillim dhe turizëm, sezoni turistik kalon pa sjellë asnjë ndryshim real për banorët e zonave malore, të cilët nuk arrijnë të investojnë në pronat e tyre.

Në përfundim, ajo thekson se zhvillimi nuk mund të mbetet në nivel slogani, por duhet të përkthehet në mundësi reale për qytetarët dhe në kthimin e pronës tek pronari i ligjshëm.


DEKLARATA E PLOTË E GRETA BARDELIT:

“Paketa e maleve apo paketa e gjobës të radhës? Po shitet si një histori suksesi. Në realitet, për mijëra familje në zonat malore është kthyer në një tjetër pengesë.

Ndërsa qeveria trumbeton si mashtrim investime dhe zhvillim, qytetarët vazhdojnë të zvarriten nëpër zyra për një dokument pronësie që u takon prej brezash. Tokat e trashëguara nga të parët mbeten të bllokuara nga korrupsioni dhe patronazhistët në zyra, ndërsa sezoni turistik kalon njëri pas tjetrit pa u dhënë mundësinë të ndërtojnë, të investojnë, të jetojnë nga puna dhe sakrificat e tyre.

Çfarë vlere ka një “paketë zhvillimi” kur pronari nuk është i lirë të zhvillojë pronën e vet?

Zhvillimi nuk matet me të thëna, por me mundësi reale për qytetarët. Dhe sot, në vend të mbështetjes, ata përballen me vonesa, pasiguri dhe kerkesa për rryshfet nga një shtet që u mbyll derën në momentin kur duhet t’u hapte udhë.

Malet nuk zhvillohen me slogan. Por duke i kthyer menjëherë pronën të zotit dhe dinjitetin qytetarit. Kur të ndodh kjo pa asnjë dyshim nuk do jetë ky kryeministër dhe as kjo qeverisje!”

Share.
error: Content is protected !!