Drejtuesi i ri i Punësimit në Shkodër, Julian Jana, takime në Vau Dejës: Fokus te punësimi dhe bashkëpunimi me biznesin
Drejtuesi i ri i Drejtorisë Rajonale të Punësimit në Shkodër, Julian Jana, së bashku me stafin e tij, ka zhvilluar një seri takimesh në Bashkinë Vau Dejës, me synim forcimin e bashkëpunimit institucional dhe nxitjen e punësimit në zonë.
Gjatë vizitës në bashkinë e drejtuar nga kryetari i bashkisë Vau Dejës, Kristian Shkreli, diskutimet u përqendruan te situata aktuale social-ekonomike dhe nevoja për informimin më të gjerë të qytetarëve mbi shërbimet dhe programet që ofron Agjencia Kombëtare e Punësimit dhe Aftësive (AKPA). Theks i veçantë iu vu rritjes së përfshirjes së punëkërkuesve dhe mbështetjes së punëdhënësve përmes programeve të nxitjes së punësimit.
Në fokus të diskutimeve ishin edhe disa problematika që ndikojnë drejtpërdrejt në tregun e punës, si transporti ndërurban, mungesa e kopshteve dhe oraret e kufizuara të tyre, të cilat vështirësojnë punësimin, veçanërisht për nënat me fëmijë të vegjël.

Vizitat vijuan më pas në disa biznese lokale në Vau Dejës, ku u zhvilluan takime të hapura me përfaqësues të tyre, me synim krijimin e mundësive të reja për punësim dhe forcimin e marrëdhënieve bashkëpunuese. Gjatë këtyre takimeve u diskutua mbi nevojat aktuale të tregut të punës, ndërmjetësimin në punësim si dhe programet mbështetëse për bizneset dhe punëkërkuesit.
Gjithashtu, përfaqësuesit e Drejtorisë së Punësimit zhvilluan takime edhe me subjekte përfituese të Programit të Vetëpunësimit, në kuadër të Garancisë Rinore, duke vlerësuar rolin e këtyre iniciativave në nxitjen e sipërmarrjes dhe punësimit të të rinjve në zonë.

