“Nganjëherë një shfaqjeje i duhet veç dikush që beson në të”, pedagogu Gëzim Puka kërkon mbështetje për një shfaqje teatrale
Një shfaqje teatrale që bashkon studentë dhe aktorë amatorë mund të ngjitet në skenë gjatë vitit të ardhshëm, nëse gjendet mbështetja e nevojshme. Ideja vjen nga pedagogu i Universitetit të Shkodrës, Prof. As. Dr. Gëzim Puka, i cili përmes një publikimi ka bërë një thirrje për bizneset dhe dashamirësit e teatrit.
“Kam prej kohësh dëshirën me ba një shfaqje, me studentë e aktorë amatorë, një komedi që, për mendimin tem, i flet fort kohës sonë”, shkruan Puka, duke treguar se për këtë projekt ka edhe një platformë të qartë se si mund të realizohet, me synimin që shfaqja të vihet në skenë gjatë vitit që vjen.

Por përtej idesë artistike, sfida mbetet realizimi praktik i saj.
Sipas Pukës, aplikimet institucionale kërkojnë “shumë letra, NIPT, procedura e gjana” që ai, si individ, nuk i ka në dispozicion. Ndërkohë, thekson ai, edhe teatri, pavarësisht se sa shumë pasion mund të ketë pas tij, ka kostot e veta.
Për këtë arsye, pedagogu e ka hedhur publikisht idenë, me shpresën se mund të ketë një biznes apo një dashamirës të teatrit që do të dëshironte ta mbështeste nismën.
“Prandaj po e hedh si ide, ndoshta ka ndonjë biznes apo dashamirës të teatrit që do të kishte dëshirë me e mbështetë, aq sa mundet, këtë nismë”, shkruan ai.
Duke e shoqëruar thirrjen me një mesazh për rëndësinë e mbështetjes, Puka thotë:
“Nganjëherë një shfaqjeje i duhet veç dikush që beson në të para se me u ngritë perdja.”
Në fund, pedagogu lë të hapur edhe një ftesë për këdo që mund të jetë i interesuar për projektin:
“Duke pi një kafe mund ta sqarojmë ma mirë idenë.”
Kush është Gëzim Puka?
Prof. As. Dr. Gëzim Puka është pedagog në Departamentin e Letërsisë të Fakultetit të Shkencave Shoqërore në Universitetin e Shkodrës “Luigj Gurakuqi”, ku punon që prej vitit 2016.
Ai ka qenë drejtues i Degës së Botimeve, si dhe lektor e kërkues shkencor në Qendrën e Studimeve Albanologjike të Universitetit të Shkodrës. Profili i tij akademik lidhet me kritikën letrare dhe teorinë e letërsisë, ndërsa është titullar i lëndëve “Hyrje në letërsi”, “Letërsi e krahasuar”, “Analizë teksti” dhe “Kritikë letrare”.
Analiza, interpretimi dhe vlerësimi i gjinisë dramatike dhe teatrit bashkëkohor janë pjesë e rëndësishme e veprimtarisë së tij studimore. Puka është autor i dy monografive shkencore për dramën dhe teatrin dhe ka botuar dhjetëra artikuj shkencorë brenda dhe jashtë vendit.
