Shkodra konfirmohet si destinacioni kryesor i turizmit kulturor në Shqipëri për fillimin e vitit 2026, duke kryesuar listën e siteve më të vizituara në rang kombëtar.
Sipas të dhënave zyrtare të Ministrisë së Turizmit, Kulturës dhe Sporteve, gjatë dy muajve të parë të vitit, Parku Arkeologjik i Shkodrës ka pritur 8,587 vizitorë, duke u renditur i pari mes të gjitha destinacioneve kulturore në vend.
Në total, trashëgimia kulturore shqiptare ka tërhequr 42,251 vizitorë vendas dhe të huaj në janar dhe shkurt 2026. Prej tyre, 21,134 persona kanë vizituar muzetë kombëtarë, 14,394 parqet arkeologjike dhe 6,723 kalatë dhe monumentet e kulturës.
Pas Shkodrës, në vendin e dytë renditet Muzeu Kombëtar “Gjergj Kastrioti Skënderbeu” me 8,176 vizitorë, ndërsa i treti është Kalaja e Gjirokastrës me 5,513 vizitorë.
Këto shifra dëshmojnë rritjen e interesit për turizmin kulturor në Shqipëri, ku Shkodra po merr një rol gjithnjë e më të rëndësishëm si një nga destinacionet më tërheqëse historike dhe arkeologjike në vend.

