Kjo është vizita e parë zyrtare e një presidenti lituanez në Shqipëri.
Intensifikimi i marrëdhënieve mes dy vendeve në fusha zhvillimore, anëtarësimi i Shqipërisë dhe Ballkanit Perëndimor në Bashkimin Evropian, çështjet e sigurisë në rajon dhe Evropë dhe forcimi i partneritetit si anëtarë në NATO ishin në fokus të takimit.
Kreu i Shtetit riafirmoi marrëdhëniet e shkëlqyera dhe miqësore midis Shqipërisë dhe Lituanisë, të zhvilluara mbi bazën e besimit, solidaritetit dhe një vizioni të përbashkët Euroatlantik.
Presidenti Begaj mori mbështetjen nga homologu i tij për avancimin e anëtarësimit të Shqipërisë në Bashkimin Evropian.
Në takim u konfirmua se një nga prioritetet e Presidencës lituaneze në 6-mujorin e parë të vitit 2027 është mbështetja e Shqipërisë dhe zgjerimi i Bashkimit Evropian me vendet e Ballkanit Perëndimor. Në këtë proces zgjerimi, Shqipëria dhe Mali i Zi janë në vijën e parë të anëtarësimit.
Presidenti i Republikës theksoi se anëtarësimi në BE mbetet prioritet kombëtar i Shqipërisë.
“Shqipëria, – theksoi Kreu i Shtetit, – do të vazhdojë me vendosmëri reformat e nevojshme për të avancuar drejt anëtarësimit të plotë në Bashkimin Evropian”.
