Pëllumb Gjoka në GJKKO: Mohon akuzat në dosjen “Metamorfoza”, vë në dyshim provat e Sky ECC

Biznesmeni Pëllumb Gjoka, një nga të pandehurit në dosjen e njohur “Metamorfoza”, ka dëshmuar këtë të enjte në Gjykatën e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (GJKKO), ku ka mohuar akuzat e ngritura ndaj tij dhe ka kundërshtuar provat e përftuara nga komunikimet në platformën Sky ECC.

Sipas dëshmisë së siguruar, Gjoka ka deklaruar se hetimet ndaj tij janë mbështetur në materiale të paqarta dhe se komunikimet e paraqitura nga prokuroria nuk provojnë identitetin e tij apo përfshirjen në ngjarjet për të cilat akuzohet.

Ai ka vënë në dyshim analizën e kodeve të përdorura në Sky ECC, duke theksuar se edhe nëse ato do të konsideroheshin të sakta, bisedat sipas tij janë kontradiktore dhe nuk mbështesin pretendimet e akuzës.

“Marrim analizën e kodeve. Po i marrim si të vërteta, por në çdo bisedë ka kontradikta… nuk ka prova konkrete,” është shprehur ai gjatë dëshmisë.

Gjoka ka kundërshtuar veçanërisht akuzën për korrupsion, duke deklaruar se nuk i është bërë e qartë se për cilin episod konkret akuzohet dhe se, sipas tij, edhe personat e përmendur si gjyqtarë kanë mohuar njohjen e tij.

Në dëshminë e tij, ai ka deklaruar gjithashtu se nuk ka lidhje me vrasjen e Gjin Ndojit në Shkodër dhe ka sfiduar akuzën e prokurorisë për sigurimin e kushteve për disa ngjarje kriminale, duke përfshirë edhe rastet e përmendura ndaj Kleanthi Musabellit, Dorian Dulit dhe Ibrahim Licit.

Ai ka pranuar se ka pasur konflikt me Kleanthi Musabellin, por ka këmbëngulur se ndodhet në burg mbi bazën e pretendimeve të pambështetura me prova konkrete.

Gjoka ka kundërshtuar edhe akuzën për “grup të strukturuar kriminal”, duke kërkuar që prokuroria të specifikojë konkretisht me kë pretendohet bashkëpunimi i tij.

Në dosjen “Metamorfoza”, Prokuroria e Posaçme ka kërkuar më herët 14 vite burg për Pëllumb Gjokën, ndërsa ai akuzohet për disa vepra të rënda penale, përfshirë “vrasje me paramendim”, “korrupsion aktiv” dhe “armëmbajtje pa leje”.

Çështja vijon të jetë në shqyrtim në GJKKO.

Share.
error: Content is protected !!