Një grup kriminal shqiptar, me bazë nga zona e Lezhës, është goditur nga autoritetet britanike pas zbulimit të një “shtëpie bari” në qytetin e Liverpool, ku u kultivuan qindra bimë kanabisi.

Sipas hetimeve, organizatori kryesor i këtij rrjeti rezulton të jetë Tonin Doci, i cili drejtonte aktivitetin kriminal së bashku me bashkëpunëtorë të tjerë shqiptarë. Ai u dënua bashkë me Kristian Bibën, Mishel Qerosin, Enea Biracin dhe Viktor Ndoj, të cilët konsiderohen si pjesë e bërthamës së grupit.

Ngjarja u zbulua më 4 tetor të vitit të kaluar, kur policia britanike vuri re një person që sillej në mënyrë të dyshimtë në një rrugë të qytetit. Edhe pse gjatë kontrollit nuk iu gjet lëndë narkotike, era e fortë e kanabisit çoi oficerët drejt një depoje aty pranë.

Brenda saj u zbulua një “shtëpi bari” e mirëorganizuar, me mbi 650 bimë kanabisi të kultivuara në pesë ambiente të ndara, shumica në fazë të avancuar, gati për t’u korrur.

Në vendngjarje u arrestuan 21 persona, ndërsa pas hetimeve të thelluara u provua se aktiviteti kontrollohej nga Doci dhe bashkëpunëtorët e tij. Gjykata e Kurorës në Liverpool dha vendimet për pesë prej tyre më 2 prill, duke i dënuar me disa vite burg:

  • Tonin Doci, 39 vjeç – 4 vite e 6 muaj burg
  • Kristian Biba, 32 vjeç – 2 vite e 8 muaj burg
  • Mishel Qerosi, 29 vjeç – 2 vite e 8 muaj burg
  • Enea Biraci, 26 vjeç – 2 vite e 8 muaj burg
  • Viktor Ndoj, 38 vjeç – 3 vite e 4 muaj burg

Sipas hetuesit të çështjes, detektivit Tom Stretton, grupi përbënte një organizatë kriminale të strukturuar mirë, e përfshirë në prodhimin dhe shpërndarjen e drogës në shkallë të gjerë.

Në total, 20 shtetas shqiptarë janë ndjekur penalisht dhe të gjithë do të deportohen nga Britania e Madhe pas përfundimit të dënimeve të tyre.

Ndërkohë, 15 të tjerë kanë pranuar fajësinë dhe janë dënuar më herët nga gjykata britanike:

  • Indrit Barhani, 37 vjeç – 2 vite e 2 muaj burg
  • Marius Bregova, 32 vjeç – 3 vite burg
  • Kristian Gega, 31 vjeç – 1 vit e 8 muaj burg
  • Kel Koni, 39 vjeç – 2 vite e 6 muaj burg
  • Leonard Nakja, 22 vjeç – 1 vit e 8 muaj burg
  • Martin Ndoj, 27 vjeç – 2 vite e 3 muaj burg
  • Nikoll Nika, 29 vjeç – 1 vit e 1 muaj burg
  • Preng Prenga, 40 vjeç – 1 vit e 8 muaj burg
  • Ali Serjanaj, 23 vjeç – 2 vite e 3 muaj burg
  • Agustin Shahini, 35 vjeç – 2 vite e 3 muaj burg
  • Izmir Shira, 24 vjeç – 1 vit e 8 muaj burg
  • Ervis Shira, 28 vjeç – 1 vit e 8 muaj burg
  • Klevist Tafa, 27 vjeç – 1 vit e 10 muaj burg
  • Agustin Tasha, 37 vjeç – 2 vite e 6 muaj burg
  • Rigers Giyla, 27 vjeç – 2 vite e 3 muaj burg

Autoritetet britanike theksojnë se operacioni ka goditur një rrjet të rëndësishëm të trafikut të drogës, duke sekuestruar një sasi kanabisi me vlerë qindra mijëra paund dhe duke ndërprerë një zinxhir furnizimi që ndikonte në komunitete të ndryshme.

Hetimet për këtë grup kriminal vijojnë, ndërsa policia britanike paralajmëron se do të ndjekë penalisht çdo person tjetër të përfshirë në këtë aktivitet.

Share.
error: Content is protected !!