VAU I DEJËS – Policia ka arrestuar në flagrancë Zef Buçaj, 32 vjeç, drejtuesin e automjetit që u përfshi ditën e djeshme në një aksident të rëndë në aksin rrugor “Mjedë–Spathar”.
Sipas njoftimit zyrtar të Drejtorisë Vendore të Policisë Shkodër, automjeti që drejtohej nga Buçaj ka dalë nga rruga, është përplasur me barrierat metalike të urës së Spatharit dhe më pas ka përfunduar në liqenin e Vaut të Dejës. Dyshohet se shkak i aksidentit ka qenë humbja e kontrollit mbi mjetin.
Në automjet udhëtonin edhe dy pasagjerë të tjerë, të cilët, së bashku me drejtuesin, u nxorën nga uji dhe u transportuan me urgjencë për ndihmë mjekësore.
Burime zyrtare bëjnë me dije se drejtuesi i mjetit dhe një prej pasagjerëve po marrin trajtim mjekësor në Spitalin Rajonal të Shkodrës, ndërsa pasagjeri tjetër, i cili ndodhet në gjendje më të rëndë shëndetësore, është dërguar për trajtim të specializuar në Spitalin e Traumës në Tiranë.
Policia vijon hetimet për zbardhjen e plotë të rrethanave të aksidentit, ndërsa materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë së Shkodrës për veprime të mëtejshme ligjore.
