Shkodër/ Finalizohet operacioni policor “Grudë e Re”, në pranga një i ri në kërkim

Policia e Shkodrës ka finalizuar operacionin e koduar “Grudë e Re”, duke vënë në pranga një 21-vjeçar të shpallur në kërkim, i dyshuar për përkrahje të autorit të krimit.

Në kuadër të kontrolleve të bazuara në informacione operative, specialistët e Seksionit për Hetimin e Krimeve të Rënda, në bashkëpunim me Forcën e Posaçme “Shqiponja”, bënë të mundur kapjen e shtetasit Klavjert Fusha, 21 vjeç, banues në fshatin Grudë e Re.

Ndalimi i tij është bërë me urdhër të Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Shkodër, për veprën penale “Përkrahja e autorit të krimit”.

Nga hetimet rezulton se më 16 janar 2026, i riu dyshohet se ka transportuar me automjet shtetasin Eduart Ksolla, i cili u përfshi në një konflikt për motive të dobëta me shtetasin A. M., në vendin e quajtur “Kryqëzimi i Vinotekës”. Gjatë konfliktit, Ksolla dyshohet se ka përdorur armë zjarri, pa shkaktuar pasoja.

Materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë së Shkodrës për veprime të mëtejshme.

Share.
error: Content is protected !!