SPAK godet grupin kriminal nga Fushë Arrëzi që kontrollonte trafikun e kokainës në Europë, zbardhen emrat dhe skema e aktivitetit

Një grup kriminal me origjinë nga Fushë Arrëzi, i dyshuar për kontrollin e trafikut të kokainës në disa vende të Europës, është goditur nga Prokuroria e Posaçme (SPAK), pas një hetimi të gjatë mbi një vit raporton BalkanWeb.

Sipas hetimeve, grupi drejtohej nga Jetmir Pepaj alias Jetmir Marashi, ndërsa në kërkim është shpallur edhe vëllai i tij, Aleks Pepaj alias Shkëlqim Pepaj. Një tjetër anëtar i familjes, Lulzim Pepa, 52 vjeç, është arrestuar dhe ndaj tij është caktuar masa e sigurisë “arrest me burg”.

Nga 11 urdhër-arreste të firmosura nga prokurori Alfred Shehu, vetëm 3 persona janë vënë në pranga, ndërsa të tjerët janë në arrati.

Hetimet kanë zbuluar se ky grup kriminal nga Fushë Arrëzi ka trafikuar rreth 7.5 ton kokainë nga Ekuadori dhe Peruja drejt Belgjikës dhe Holandës, duke krijuar një rrjet të fuqishëm në tregun europian të drogës.

Përveç trafikut, grupi dyshohet edhe për pastrim parash. SPAK ka sekuestruar kompani dhe pasuri me vlerë rreth 12 milionë euro, përfshirë shoqërinë “Pepa Group”, si dhe dhjetëra prona, automjete dhe llogari bankare.


Anëtarët e dyshuar të grupit kriminal:

  • Jetmir Pepaj alias Jetmir Marashi
  • Aleks Pepaj alias Shkëlqim Pepaj
  • Albert Pjetri
  • Fatjon Marku
  • Anton Marku alias Anton Tamure
  • Florjan Vuka alias Vathaj
  • Kristjan Lleshi
  • Klevi Leka
  • Lulzim Pepa
  • Anton Kola
  • Ilir Lazri

8 episodet e trafikut të kokainës të dokumentuara nga SPAK

Episodi 1 – Janar–Mars 2020

Trafikimi i një sasie të konsiderueshme kokaine. Më 21.03.2020 u sekuestruan 8.5 kg në Amsterdam, Holandë.

Episodi 2 – 7–8 Prill 2020

Trafikimi i 1,018 kg kokainë nga Peruja drejt Portit të Roterdamit. Droga ishte fshehur në një enë frigoriferike me lëngje frutash të ngrira. Vlera e shitjes mbi 1.3 milionë euro.

Episodi 3 – 6 Qershor 2020

Trafikimi i 2020 kg kokainë nga Ekuadori drejt Roterdamit. Ngarkesa ishte e destinuar për një kompani në Hungari.

Episodi 4 – 26 Qershor 2020

Tentativë trafikimi e 516 kg kokainë, e sekuestruar në Peru (Terminali Muelle Sur), e destinuar për Holandë.

Episodi 5 – 30 Qershor 2020

Trafikimi i 500 kg kokainë, e sekuestruar në Roterdam. Droga ishte fshehur në konserva me peshk ton dhe vinte nga Kolumbia.

Episodi 6 – 7 Gusht 2020

Trafikimi i rreth 1600 kg kokainë, ku 104 kg u sekuestruan në autostradën A2 pranë Abcoude, Holandë.

Episodi 7 – 16 Gusht 2020

Trafikimi i 1238.39 kg kokainë, e fshehur në një ngarkesë me banane nga Ekuadori drejt Roterdamit. Destinacioni final ishte një kompani në Hagë.

Episodi 8 – 1–2 Tetor 2020

Trafikimi i 531 kg kokainë, e sekuestruar në Roterdam, e fshehur në një kontejner me rrush të thatë, destinacion Suedia.


Sekuestrimet (rreth 12 milionë euro)

SPAK ka vendosur sekuestro preventive mbi:

  • Pasuritë e shoqërisë “P… GROUP” sh.p.k
  • Kuotat në shoqëritë:
    • “HEC A…I” sh.p.k (33.30%)
    • “B….V” sh.p.k (50%)
    • “Sh……i 2013” sh.p.k (50%)
  • Pasuritë e shoqërive të tjera si:
    • “O….. Hotel” sh.p.k
    • “M….. N… A……….” sh.p.k
    • “E…… AL” sh.p.k
  • 60 pasuri të paluajtshme (tokë, apartamente, hotele, etj.) në Tiranë, Kamëz, Lezhë, Shëngjin, Sarandë dhe Himarë
  • 89 automjete të ndryshme
  • 72 llogari bankare

Më 15 prill 2026 kanë nisur procedurat për bllokimin e këtyre aseteve në bashkëpunim me Policinë e Shtetit dhe Agjencinë e Administrimit të Pasurive të Sekuestruara dhe Konfiskuara.


Operacioni konsiderohet një goditje e fortë ndaj një prej grupeve kriminale më të fuqishme shqiptare që operonin në trafikun ndërkombëtar të kokainës në Europë.

Share.
error: Content is protected !!