Dy shtetas shqiptarë janë dënuar në Itali për një grabitje të rëndë ndaj një biznesmeni, ndërsa një tjetër shqiptar, i dyshuar si organizatori i grupit kriminal dhe me origjinë nga Shkodër, pritet të përballet me drejtësinë në muajin korrik.
Sipas mediave italiane, Klodjan Cesku, 31 vjeç, dhe Arsild Memaj, 21 vjeç, kanë pranuar fajin dhe janë dënuar me 4 vite e 3 muaj burg, si dhe me 1,200 euro gjobë.
Ndërkohë, 44-vjeçari Marjan Ndrekaj, nga Shkodra, i cili dyshohet si drejtuesi i grupit, do të dalë në gjyq, pasi gjykata ka rrëzuar kërkesën e tij për gjykim të shkurtuar.
Të tre akuzohen për grabitje në bashkëpunim me rrethana rënduese.
Ngjarja ka ndodhur natën mes 7 dhe 8 tetorit 2025 në Trento, ku katër persona kanë hyrë në vilën e biznesmenit 72-vjeçar Eugenio Gallizioli, duke e kërcënuar me armë dhe duke e mbajtur peng për rreth katër orë.
Sipas hetimeve, viktima ka refuzuar të tregojë kodin e kasafortës, çka ka detyruar autorët të përdorin një mjet prerës për ta hapur dhe për të marrë rreth 300 mijë euro.
Autoritetet arritën të zbardhin lëvizjet e tyre përmes kamerave të sigurisë dhe përgjimeve, ndërsa tre prej të dyshuarve u arrestuan disa javë më vonë në zona të ndryshme në Itali. Një person i katërt vijon të jetë në kërkim.
Biznesmeni është paraqitur si palë civile dhe ka kërkuar 400 mijë euro dëmshpërblim për dëmet materiale dhe morale.
Raportimi i mediave italiane:https://corrieredeltrentino.corriere.it/notizie/cronaca/26_aprile_17/rapina-da-300mila-euro-a-casa-dell-imprenditore-eugenio-gallizioli-i-due-patteggiano-a-processo-il-capo-della-banda-bf49cdd5-d82a-4ea9-a7c7-f6d2d0822xlk.shtml
