Deputeti i Partisë Demokratike, Gjin Gjoni, ka denoncuar situatën e investimit në Urën e Matit, duke e cilësuar atë si një tjetër shembull të keqmenaxhimit të fondeve publike.
Sipas tij, pas afro një viti bllokimi dhe shpenzimeve të konsiderueshme nga buxheti i shtetit, ndërhyrja në këtë urë, e cila u promovua me bujë vetëm pak ditë më parë, rezulton e paplotë dhe pa ndikim real për qytetarët.
Reagimi i plote i Gjin Gjonit
Pas afro një viti bllokim dhe shpenzimesh të konsiderueshme nga buxheti i shtetit, ndërhyrja në Urën e Matit, e cila u hap me bujë dhe propagandë pak ditë më parë, rezulton e paplotë dhe pa asnjë ndikim real për qytetarët.
Mbi 1 miliard lekë janë shpenzuar për rikonstruksionin e kësaj ure, por sot qytetarët përballen me të njëjtin problem si më parë, pasi traseja e rrugës mbi urë nuk është rehabilituar.
Ashtu si në çdo investim tjetër në infrastrukturë i kësaj qeveria, ky është një tjeter shembull flagrant i keqmenaxhimit të fondeve publike dhe i mungesës së theksuar të planifikimit. Si është e mundur që një investim i tillë të lihet në gjysmë? Ku kanë përfunduar paratë dhe pse nuk është garantuar përfundimi i plotë i projektit?
Besoj të gjithë e shikuat propagandën e Ministrit Karakaçi dhe Drejtorit të ARRSH para tre ditëve poshtë urës dhe pamjet me dron që ju paraqiten shqiptarëve. Por realiteti është ky që po ju paraqesim.
Qytetarët e Qarkut të Lezhës dhe gjithë Shqipërisë nuk kanë nevojë për propagandë boshe, por për punë konkrete, përgjegjësi dhe investime të përfunduara që u shërbejnë realisht jetës së tyre të përditshme.
