Sali Berisha deklaroi sot se ka zhvilluar takime në parlamentin belg me zëvendëskryetaren e Komisionit të Jashtëm dhe anëtarë të këtij Komisioni, të cilëve thotë se u paraqiti “situatën dramatike në Shqipëri”.
Edhe kësaj radhe, duke mos u shqetësuar për imazhin e Shqipërisë në arenën ndërkombëtare, krydemokrati thotë se ngriti shqetësime edhe për krimin e organizuar dhe korrupsionin. Gjithashtu, ai tha se u shpalosi zyrtarëve belg idenë e Partisë Demokratike për krijimin e një qeverie teknike si zgjidhje për garantimin e zgjedhjeve të lira dhe të ndershme.
“Zhvilluam këtu pas takimit që patëm në parlamentin e kryeqytetit të Belgjikës, që është njëkohësisht kryeqyteti i Europës dhe unë kam lidhje tradicionale me parlamentin e këtij qyteti të bekuar. Erdhëm këtu në parlamentin federal dhe u takuam me zëvendëskryetaren e Komisionit të Jashtëm të parlamentit dhe anëtarë të Komisionit të Jashtëm të parlamentit ku paraqitëm gjendjen në Shqipëri, situatën dramatike në të cilën ndodhet dhe krizën që po e gllabëron Shqipërinë me shtylla kryesore përqendrimin e të gjitha pushteteve në dorë të një njeriu dhe shndërrimin e procesit zgjedhor në farsë elektorale. Drogën si një fuqi e jashtëzakonshme me rrezikshmëri të lartë për Shqipërinë, por edhe për Belgjikën, Holandën dhe rajonin e më gjerë si dhe qëndrimet e fundit ndaj korrupsionit, bllokimin e heqjes së imunitetit të Edi Ramës për shkak të dosjeve të veta dhe vendimin e tij për të votuar një paketë ligjesh si mburojë për vjedhjet e veta dhe vjedhjet e qeveritarëve”,- tha Berisha.
