Universiteti i Shkodrës po nis vitin e ri akademik me shifra në rritje të regjistrimeve. Lajmi është bërë i ditur nga kryetari i Bashkisë Shkodër, Benet Beci, pas një takimi me rektoren e Universitetit të Shkodrës, prof. dr. Blerta Dragusha.
Beci tha se gjatë takimit u njoh me ecurinë e regjistrimeve, ndërsa u bëri thirrje të rinjve të zgjedhin Universitetin e Shkodrës për studimet e tyre dhe për të ndërtuar të ardhmen në qytetin e tyre.
Gjatë takimeve, kryebashkiaku zhvilloi gjithashtu një bisedë me prof. Zamira Shkrelin, nga Qendra e Studimeve Albanologjike, lidhur me vijimin e konferencës shkencore “Shkodra në Shekuj”.
Konferenca u rikthye vitin e kaluar pas disa vitesh mungesë, falë bashkëpunimit mes Bashkisë Shkodër dhe Universitetit të Shkodrës.
Beci e cilësoi Universitetin një partner të rëndësishëm për zhvillimin e dijes, kulturës dhe të ardhmes së Shkodrës.
