Një 20-vjeçar është arrestuar nga Policia e Shkodrës, pasi dyshohet se në bashkëpunim me një të mitur ka kryer disa vjedhje në Shkodër dhe Velipojë. Në banesën e tij u gjet edhe një sasi e dyshuar Cannabis sativa, ndërsa u sekuestruan dy motomjete të dyshuara të vjedhura.
Policia e Shkodrës ka finalizuar operacionin e koduar “Recently”, duke zbardhur disa raste vjedhjeje dhe duke vënë në pranga autorin e dyshuar.
Në kuadër të këtij operacioni, shërbimet e Komisariatit të Policisë Shkodër kanë arrestuar Xhuljan Rrethaj, 20 vjeç, banues në fshatin Grudë e Re.
Sipas policisë, nga veprimet hetimore të kryera dyshohet se 20-vjeçari, në bashkëpunim me një shtetas të mitur, në periudha të ndryshme ka kryer disa vjedhje në qytetin e Shkodrës dhe në Velipojë.
Në mesin e sendeve të vjedhura dyshohet se kanë qenë motomjete, një biçikletë elektrike, një celular, si dhe një shumë parash në një lokal.
Gjatë hetimeve, policia ka arritur të gjejë dy motomjete të dyshuara të vjedhura, të cilat janë sekuestruar në cilësinë e provës materiale.
Por hetimi nuk është ndalur vetëm te vjedhjet. Gjatë kontrollit të ushtruar në banesën e 20-vjeçarit, shërbimet e Policisë kanë gjetur dhe sekuestruar edhe një sasi lënde të dyshuar narkotike Cannabis sativa.
Policia bën me dije se hetimet vijojnë për zbardhjen e rasteve të tjera të vjedhjeve që mund të jenë kryer nga i arrestuari apo në bashkëpunim me persona të tjerë.
Materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Shkodër, për veprime të mëtejshme.
Sqarim: Në respektim të parimit të prezumimit të pafajësisë, të parashikuar në nenin 4 të Kodit të Procedurës Penale të Republikës së Shqipërisë, personi i dyshuar/arrestuar prezumohet i pafajshëm deri në vërtetimin e fajësisë së tij me vendim gjyqësor të formës së prerë.
