Përse Shkodra, pa vende argëtimi dhe pa një qendër tregtare? Nga Evans Drishti
Nëse mendon të organizohesh për të realizuar disa shëtitje në vendet periferike apo në rrethina të Shkodrës mund të vësh re qartë se përveç kafeneve dhe restoranteve s’të sheh syri ambient tjetër.
Një pozicion gjeografik dhe gjeostrategjik i mahnitshëm mbështjellë nga një liqen i Shkodrës dhe tri lumenj, Drini, Buna dhe Kiri,
vështron një mrekulli natyrore të paparë në shumë vende të tjera në Shqipëri e më gjerë.
Por nëse dëshiron të ulesh diku për çlodhje, për argëtim, për piknik fatkeqësisht është e parealizueshme.
Nëse kalon përreth Kirit ndjen një dëshpërim të madh pasi një gjelbërim malor e fushor ka ngelur jetim në mungesë të ujit, që pikërisht në periudhën përvëluese të verës Kiri mbetet i tharë dhe i shkretë.
Mund të vësh re qartazi një nga rrugët më të përshkueshme nga njerëzit siç është ajo e Shirokës, Zogaj dhe rruga e Zuesit apo edhe rruga për në pikën kufitare të Muriqanit. Një linjë ujore buzë liqenit e pashfrytëzuar dhe e lënë në harresë prej dekadash, e kalimtarët kalojnë me keqardhje, teksa presin një dorë t’u ofrojë shërbimet e duhura dhe të nevojshme. Aty-këtu janë vendosur ca stola për pushim, por në mungesë të pemëve për hije, dielli përvëlues s’të lë të qetë duke të thënë “largohu”.
Kudo vetëm kafene dhe restorante të emërtimeve të ndryshme, të modeleve të ndryshme, por s’mund të themi të gatimeve të ndryshme, pasi në përgjithësi menuja është e ngjashme.
Ku të lodrojnë vogëlushët?
Ku të kalojnë kohë pensionistët?
Ku të argëtohen të rinjtë?
Ku të relaksohen familjarët?
Bukuritë natyrore janë mahnitëse, janë joshëse, janë tërheqëse. Të ftojnë në gjirin e tyre, të përkëdhelin me flladet e tyre. Malet dhe fushat e gjelbërta në pjesët periferike apo shumë afër Shkodrës presin fytyrat njerëzore të kënaqen së bashku, presin duart e njerëzve të punojnë apo të kërcejnë së bashku, presin këmbët e njerëzve të bashkërrugëtojnë, presin mendjet e njerëzve të reflektojnë së bashku, presin gojët e njerëzve të shijojnë së bashku.
Po
Rrugët janë të shtruara, vajtje – ardhjet janë shumë të mundshme dhe të volitshme, por ku të ndalosh, përveç se në një kafene apo restorant?!…
Rruga është civilizim, është emancipim, është integrim, por në 2026-tën s’mund dhe s’duhet të mjaftohemi vetëm me rrugët, pasi natyrshëm ato të çojnë diku, të përcjellin për diku, ta lehtësojnë punën dhe ta shkurtojnë kohën për të arritur aty ku dëshiron sa më shpejt të jetë e mundur. Por më pas mungon kryesorja dhe thelbësorja.
Mungojnë
vendet e argëtimit për vogëlushët, parqet, ku mund të ulesh në stola pa qenë i detyruar të ulesh në një kafene a restorant për të shpenzuar një shumë të konsiderueshme.
Mungojnë
hapësirat sportive ku të vegjlit, të rinjtë apo edhe moshat e prindërve të tyre të kenë mundësi të ushtrojnë sporte të larmishme si volejboll, basketball, tenis…
Mungojnë
vendet publike, ku të shkosh në grup dhe të bësh lexime verore apo edhe diskutime të këndshme në hapësirat e mrekullueshme malore, fushore apo edhe bregdetare pa qenë e nevojshme të bësh shpenzime të mëdha.
Ekziston Parku Natyror i Liqenit të Shkodrës,
21. 525 hektarë tokë,
një vlerë e jashtëzakonshme natyrore, një hapësirë e volitshme, ku mund të shohësh rrjedhën e mrekullueshme të liqenit të Shkodrës, burimin e freskët dhe frymëzues të Syrit të Sheganit, që mbeten një aset me vlera kombëtare,
por sheh qartë se
mungojnë
investimet publike.
Në vendin tonë, tashmë prej 36 vjetësh po përballemi me fenomenin e emigracionit. A s’mund të jetë një mundësi e mirë një bashkëpunim me mërgatën shqiptare për të realizuar disa investime themelore dhe të domosdoshme për shërbimet publike?
Mund të rregullohet një rrugë e ngelur në mjerim, mund të shtohet një urë karakteristike që të lidhë pjesë të ndryshme të natyrës, mund të krijohen parqe të këndshme me zbukurime në pemë dhe lule shumëngjyrëshe, ku njerëzit të organizojnë pikniqe të këndshme, mund të krijohen hapësira lodrash tejet bashkëkohore, kur vogëlushët të argëtohen dhe të kalojnë kohë të shëndetshme etj…
Për të mos folur pastaj për një qendër tregtare multidimensionale, sikur ekziston edhe në vende të ndryshme të botës.
Shkodrës i mungon një e tillë.
Një kompleks vital, ku familjarët të kalojnë një ditë të këndshme nga mëngjesi deri në mbrëmje.
Një hapësirë, ku mund të shohësh një film në një kinema verore, një teatër apo një shfaqje,
Një hapësirë, ku të vegjlit dhe të rinjtë të keni mundësi të ushtrojnë lojra interesante duke iu shmangur telefonave,
Një hapësirë ku të ketë një kopsht botanik dhe zoologjik,
Një hapësirë, ku të ketë objekte muzeale të ndryshme
Të gjitha këto, sot, nuk janë më një luks, por një domosdoshmëri e kohës
