Një ngjarje e rëndë është regjistruar këtë të hënë në plazhin e Shëngjinit, ku një nënë dhe djali i saj i mitur kanë rrezikuar të mbyten gjatë larjes në det.
Ngjarja ka ndodhur në zonën e “Ranës së Hedhun”, teksa nëna së bashku me fëmijën e saj sapo ishin futur në ujë. Për shkak të vështirësive në det, ata kanë humbur kontrollin dhe kanë rrezikuar jetën.
Ndërhyrja e shpejtë e rojeve bregdetare, disa pushuesve të pranishëm në plazh, si dhe mbërritja e menjëhershme e ekipeve të emergjencës spitalore ka bërë të mundur shpëtimin e tyre.
Mësohet se nënë e bir kishin konsumuar sasi të konsiderueshme uji dhe janë dërguar për trajtim në Spitalin Rajonal të Lezhës, ku aktualisht ndodhen nën kujdesin e mjekëve. Sipas informacioneve të para, parametrat e tyre jetësorë janë të stabilizuar.
