Kalaja e Rozafës do të mirëpresë vizitorët deri në orën 20:00 gjatë sezonit turistik, duke u dhënë mundësinë të shijojnë një nga spektaklet më të bukura natyrore që ofron Shkodra.
Drejtoria Rajonale e Trashëgimisë Kulturore Shkodër ka bërë të ditur se zgjatja e orarit të vizitave është menduar pikërisht që turistët dhe qytetarët të kenë mundësi të ndjekin perëndimin e diellit mbi Liqenin e Shkodrës nga Kalaja e Rozafës.
Sipas institucionit, në ato çaste kalaja nuk është vetëm një monument historie, por shndërrohet në një pikë panoramike unike, nga ku Shkodra shfaqet në të gjithë bukurinë e saj.
DRTK Shkodër fton të gjithë vizitorët ta përjetojnë këtë eksperiencë, duke e cilësuar si një moment të veçantë që e bën edhe më të bukur vizitën në monumentin simbol të qytetit.
Njoftimi i plotë i DRTK Shkodër:
Kur vendosëm zgjatjen e orarit të vizitave deri në ⏰️ orën 20:00 këtë sezon, kishim në mendje pikërisht këtë moment: perëndimin e diellit mbi Liqenin e Shkodrës, parë nga Kalaja Rozafa. 🌅
Ka çaste kur kalaja nuk është vetëm një monument historie, por një ballkon i rrallë nga ku Shkodra shfaqet në gjithë bukurinë e saj.
E keni përjetuar edhe ju këtë moment magjik?
