Një episod jo fort i zakonshëm, por me nota humori, ka shoqëruar nisjen e turit “Për punët e Shqipërisë”, ku Edi Rama mblodhi kryebashkiakët në Pallatin e Kongreseve.

Mes të ftuarve “të përzgjedhur” për pak kohë rezultoi edhe kryebashkiaku demokrat i Pukës, Rrok Dodaj, i cili – përmes një emaili – u ndje për një moment pjesë e familjes socialiste.

Dodaj konfirmon se kishte marrë ftesë për të qenë në takim, por kur u paraqit në vendngjarje, realiteti ishte ndryshe: emri i tij nuk figuronte në listë dhe dera nuk u hap. Me pak fjalë, nga “i ftuar special” kaloi në “i paidentifikuar në listë”.

Pas këtij momenti disi të sikletshëm, ai është kontaktuar nga përfaqësues të Partisë Socialiste, të cilët i kanë sqaruar se ftesa kishte qenë thjesht një “lapsus” i sekretarisë.

Ndërkohë, duket se “shorti i ftesave” nuk ka qenë i njëjtë për të gjithë. Kryebashkiaku i Hasit, Miftar Dauti, dhe ai i Mirditës, Albert Mëlyshi, nuk kanë marrë fare ftesë, ndërsa Hilë Curri rezulton të ketë qenë më “me fat” në inbox.

Sipas mediave pranë mazhorancës, takimi ishte menduar vetëm për kryebashkiakët socialistë, por rasti i Pukës tregoi se ndonjëherë edhe një email mund të të bëjë “socialist për disa orë”… të paktën deri te dera.

Share.
error: Content is protected !!