Kryetari demokrat i bashkisë së Pukës, Rrok Dodaj ka bërë një sqarim publik lidhur me moslejimin e tij në takimin e kryeministrit Edi Rama me kryebashkiakët në Pallatin e Kongreseve, duke e cilësuar si keqkuptim teknik.

Në reagimin e tij, Dodaj thotë se njoftimi i tij për pjesëmarrje kishte qenë një lapsus i organizatorëve dhe se emri i tij nuk përfshihej në listën e ftesave. Sipas tij, organizatorët, për shkak të situatës, i kanë kërkuar më pas që të marrë pjesë në takim, por ai është tërhequr.

“Situata u sqarua menjëherë në mënyrë institucionale dhe nga ana e organizatorëve pati një ndjesë për këtë pasaktësi dhe keqkuptim të krijuar si pasojë e njoftimeve të mëparshme. Gjithashtu, nga ana e tyre u shpreh gatishmëria për të më mundësuar hyrjen në takim, por në mirëkuptim të plotë të rrethanave dhe duke respektuar organizimin e përcaktuar, vendosa të tërhiqem.”, shprehet ai.

Njoftimi i plotë:

Për hir të transparencës dhe informimit të saktë të opinionit publik, dëshiroj të sqaroj një situatë të krijuar gjatë zhvillimit të një takimi të njoftuar për ditën e sotme me Kryeministrin.

Pas një njoftimi paraprak për pjesëmarrje, u paraqita pranë ambienteve ku do të mbahej takimi. Në hyrje u konstatua se emri im nuk figuronte në listën përfundimtare të pjesëmarrësve. Nga komunikimi i mëtejshëm rezultoi se bëhej fjalë për një lapsus nga ana e organizatorëve, pasi jo të gjithë kryetarët e bashkive kishin qenë të përfshirë në listën zyrtare të ftesave, ndër të cilët edhe unë.

Situata u sqarua menjëherë në mënyrë institucionale dhe nga ana e organizatorëve pati një ndjesë për këtë pasaktësi dhe keqkuptim të krijuar si pasojë e njoftimeve të mëparshme. Gjithashtu, nga ana e tyre u shpreh gatishmëria për të më mundësuar hyrjen në takim, por në mirëkuptim të plotë të rrethanave dhe duke respektuar organizimin e përcaktuar, vendosa të tërhiqem.

E gjithë situata u zhvillua në një frymë korrekte dhe mirëkuptuese, duke mbetur në kuadrin e një keqkuptimi teknik, pa asnjë element tjetër përtej kësaj.

Faleminderit për mirëkuptimin.

Share.
error: Content is protected !!