Ministri i Financave, Petrit Malaj, së bashku me drejtorin e Përgjithshëm të Doganave, Besmir Beja, zhvilluan sot vizitë pune në pikën doganore Hani i Hotit, e cila është një nga pikat doganore më të rëndësishme të vendit dhe përbën një nga portat kryesore tregtare drejt tregjeve evropiane.
Gjatë vizitës, ministri Malaj u njoh nga afër me aktivitetin e përditshëm të degës doganore, procesin e përpunimit të deklaratave doganore dhe masat që po merren për lehtësimin e skanimit të mallrave dhe mjeteve, me qëllim rritjen e sigurisë, shpejtësisë së përpunimit dhe transparencës së procedurave.
Gjatë takimit me punonjësit e kësaj dege doganore u diskutua edhe mbi çështje që lidhen me fluksin e lartë të transportit ndërkombëtar, kohën e pritjes, përmirësimin e koordinimit me autoritetet doganore të Malit të Zi, si dhe investimet e nevojshme në infrastrukturë dhe digjitalizim për të lehtësuar aktivitetin e bizneseve dhe transportuesve.
Ministri Malaj theksoi se rëndësinë e modernizimit të administratës doganore dhe lehtësimit të procedurave për biznesin, sidomos sa i përket kontrollit të importeve dhe eksporteve, për procesin e integrimit europian të Shqipërisë.
Aktualisht vendi po zbaton një model europian, i cili synon një doganë të shpejtë, transparente dhe të besueshme, duke përdorur teknologjinë e informacionit, analizën e të dhënave dhe bashkëpunimin ndërinstitucional.
