Një tjetër operacion për asgjësimin e shkëmbinjve të rrezikshëm është zhvilluar mesditën e kësaj të mërkure në malin e Torovicë, në kuadër të masave për rritjen e sigurisë në zonë.
Pas evakuimit të përkohshëm të banorëve dhe bllokimit të segmentit rrugor, forcat xheniere realizuan me sukses shpërthimin e kontrolluar të një prej masiveve shkëmbore që paraqiste rrezik të lartë për rrëshqitje dhe mund të kërcënonte jetën e banorëve dhe qarkullimin e automjeteve.
Autoritetet bëjnë me dije se ndërhyrjet do të vijojnë edhe në ditët në vijim, me qëllim identifikimin dhe eliminimin e çdo vatre të mundshme rreziku. Operacionet po kryhen në bashkëpunim me strukturat vendore dhe ekipet e emergjencave civile, ndërsa u bëhet thirrje qytetarëve të respektojnë masat e sigurisë dhe kufizimet e vendosura gjatë zhvillimit të këtyre punimeve.
Këto ndërhyrje janë pjesë e një plani më të gjerë për parandalimin e rrëshqitjeve dhe garantimin e sigurisë në zonat problematike, sidomos gjatë periudhave me reshje dhe luhatje të temperaturave.
