Një arritje e rëndësishme për turizmin shqiptar është shënuar nga qyteti i Lezhës, i cili është vlerësuar me çmimin e parë për stendën më të mirë në Panairin Ndërkombëtar të Turizmit të zhvilluar në Wrocław, Poloni.
Lajmi u bë i ditur nga kryetari i bashkisë Lezhë, Pjerin Ndreu, i cili theksoi se stenda e qytetit u shpall fituese mes dhjetëra destinacioneve ndërkombëtare, duke e cilësuar këtë si një arritje të jashtëzakonshme për promovimin e Lezhës.
Në këtë sukses kanë kontribuar edhe operatorët turistikë vendas, si Rafelo Resort, Twin Tower, Triumf, Amare, Domus, Hylli i Dritës, Tanushaj, Princ & Delfin, të cilët ishin pjesë e prezantimit.
Për këtë arritje reagoi edhe drejtuesi politik i Partisë Socialiste në Lezhë, njëherësh ministër, Ermal Nufi, i cili bëri të ditur se stenda e Lezhës tërhoqi një interes të jashtëzakonshëm, me rreth 20 mijë vizitorë dhe 250 turoperatorë që e vizituan atë gjatë panairit. Sipas tij, ky interes i lartë i dha me meritë çmimin si pavijoni më atraktiv.
Gjatë panairit, Lezha u prezantua me një ofertë të pasur turistike, duke u kthyer në një nga stendat më të frekuentuara. Vizitorët patën mundësi të njihen nga afër me destinacionet dhe potencialin e zonës, ndërsa atmosfera u pasurua nga performanca folklorike dhe gatimi live, që krijuan një eksperiencë autentike shqiptare për publikun ndërkombëtar.
Ky vlerësim konsiderohet një hap i rëndësishëm në forcimin e pozicionit të Lezhës në hartën turistike ndërkombëtare, duke dëshmuar rritjen e interesit për këtë destinacion dhe potencialin e tij në zhvillimin e turizmit.
