SPANJË – Mediat spanjolle kanë publikuar detaje të reja lidhur me vrasjen e shkodranit Miklovan Dakaj, një ngjarje që ka tronditur opinionin publik dhe lidhet me aktivitetin e grupeve kriminale në jug të vendit.

Sipas gazetës La Razon, 13 maji 2025 ishte dita e fundit kur Dakaj u pa gjallë. Ish-partnerja e tij e raportoi menjëherë si person të zhdukur pranë Policisë Kombëtare, ndërsa hetimet fillestare u fokusuan në pistën e një rrëmbimi të mundshëm të lidhur me krimin e organizuar në jug të Gadishullit Iberik.

Trupi u zbulua rastësisht në një rezervuar

Muaj pas zhdukjes, në tetor 2025, një shtetas polak që po bënte kamping në zonën e Casasola në Almogía (Málaga) gjeti aksidentalisht një çantë të madhe në rezervuar. Brenda saj ndodheshin mbetjet e lidhura të Miklovan Dakajt.

Zbulimi i rastësishëm çoi në intensifikimin e hetimeve nga Njësia e Policisë Gjyqësore në Málaga, e cila arriti të zbardhë krimin.

Dyshime për lidhje me krimin e organizuar

Burime policore bëjnë me dije se motivi i vrasjes ende nuk është përcaktuar përfundimisht. Megjithatë, ndonëse nuk ka prova të drejtpërdrejta për lidhje me trafikun e drogës, burime të tjera sugjerojnë se pikërisht kjo mund të ketë qenë arsyeja e eliminimit të Dakajt.

Sipas mediave spanjolle, raste të tilla “larjeje hesapesh” janë bërë gjithnjë e më të shpeshta në provincën e Málaga-s, ku veprojnë grupe të fuqishme kriminale.

Rritet dhuna në Marbella dhe zonat përreth

Raportohet se në zonën e Marbella-s është rritur ndjeshëm numri i të shtënave me armë zjarri, duke përfshirë incidente në klube nate, palestra, autostrada dhe ambiente sportive si klubet e padelit.

Autoritetet kanë ndërmarrë masa të shtuara, duke koordinuar njësitë antidrogë për më shumë se një vit, në përpjekje për të frenuar përshkallëzimin e dhunës.

Organizatat kriminale më të armatosura se kurrë

Ekspertët vërejnë se grupet kriminale nuk merren më vetëm me trafik hashashi përmes Ngushticës së Gjibraltarit, por janë përfshirë fuqishëm edhe në tregtinë e kokainës, e cila konsiderohet shumë më fitimprurëse.

Kjo ka sjellë edhe një rritje të përdorimit të armëve të rënda, përfshirë mitralozë dhe armë automatike si AK-47, shumë prej të cilave dyshohet se vijnë nga zona konflikti si Ukraina.

Momentet e fundit të Dakajt

Sipas dëshmisë së ish-partneres, më 12 maj 2025 Dakaj ndodhej në një restorant në Puerto Banús. Rreth orës 14:30 ai i kishte thënë se do të shkonte në një tjetër restorant në Puerto de la Torre për të takuar disa miq, pasi mendonte se do t’i ofrohej një punë si truprojë.

Rreth një orë e gjysmë më vonë, ajo humbi çdo kontakt me të.

Hetimet dhe arrestimet

Hetuesit kanë përdorur përgjime telefonike dhe mbikëqyrje në terren për të dokumentuar lëvizjet e të dyshuarve. Edhe pse ka zona ku lëvizja e automjetit nuk është kapur nga kamerat, të dhënat e rrjetit celular e vendosin atë në zonën ku u gjet trupi.

Në një urdhër gjykate të datës 17 mars, thuhet se automjeti i të dyshuarve rezulton brenda zonës së mbulimit të kullave telefonike pranë rezervuarit.

Gjykata në Málaga ka vendosur:

Ilir J. në paraburgim pa të drejtë lirimi me kusht Indrit G. me masë sigurie kundrejt një garancie prej 25,000 eurosh

Hetimet për zbardhjen e plotë të ngjarjes vijojnë.

Share.
error: Content is protected !!