E dërguara me punë e Shteteve të Bashkuara, Nancy VanHorn, ka vizituar Ministrinë e Brendshme, në një moment kyç për Policinë e Shtetit, teksa ka nisur procesi i përzgjedhjes së drejtorit të ri të përgjithshëm.

Kjo vizitë vjen në kohën kur ka filluar faza e intervistimit për 14 kandidatët që garojnë për drejtimin e institucionit më të lartë të rendit në vend, pas shkarkimit nga detyra të Ilir Prodës.

Procesi po zhvillohet sipas rendit alfabetik, ndërsa i pari që është paraqitur për intervistë ka qenë Afrim Tafa, aktualisht drejtor i Policisë së Durrësit.

Në garë për postin e Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit janë:
Afrim Tafa, Alfred Çepe, Arjanit Arapi, Elidon Çela, Gentian Berberi, Gentjan Shehaj, Idajet Faskaj, Lorenc Panganika, Neritan Nallbati, Pëllumb Seferi, Rebani Jaupi, Saimir Boshnjaku, Skënder Hita dhe Tonin Vocaj.

Mes kandidatëve bie në sy edhe drejtori i Policisë së Shkodrës, Gentian Berberi, i cili është pjesë e kësaj gare për të marrë drejtimin e Policisë së Shtetit.

Faza e intervistimit pritet të vijojë gjatë ditëve në vijim, ndërsa në përfundim të saj do të përzgjidhet kandidati që do të drejtojë Policinë e Shtetit.

Share.
error: Content is protected !!