Kombëtarja shqiptare ka zhvilluar stërvitjen e parë në kuadër të përgatitjeve për ndeshjet “play-off” të Botërorit, duke shënuar edhe afrime të reja nga kampionati vendas.

Në mesin e futbollistëve të grumbulluar bie në sy edhe prania e lojtarit të Vllaznisë, Elmando Gjini, i cili i është bashkuar kuqezinjve për këtë fazë përgatitore, si pjesë e grupit që po plotësohet edhe me elementë nga Superiorja.

Seanca e parë është zhvilluar me disa mungesa të rëndësishme, pasi Nazmi Gripshi dhe Myrto Uzuni nuk ishin të pranishëm për shkak të angazhimeve me klubet e tyre, ndërsa Ylber Ramadani mungoi pas aktivizimit një natë më parë me Leçen në përballjen ndaj Romës.

Përveç Gjinit, në stërvitje janë përfshirë edhe disa futbollistë të tjerë nga kampionati vendas si Artan Jazxhi, Muço Boçi dhe Xhoele Maçolli, të cilët kanë spikatur në sezonin aktual dhe janë monitoruar nga stafi teknik.

Ndërkohë, risitë e kësaj grumbullimi janë Bujar Pllana dhe Stavro Pilo, që janë thirrur për herë të parë në ekipin kombëtar.

Kombëtarja shqiptare do të përballet fillimisht me Poloninë në Varshavë më 26 mars. Në rast kualifikimi, kuqezinjtë do të luajnë finalen e “play-off”-it më 31 mars ndaj fituesit të çiftit Ukrainë-Suedi, për një vend në Botëror.

Share.
error: Content is protected !!