Gjykata në Itali lë në burg 14 të arrestuar për tentativë grabitjeje me 8 milionë euro, mes tyre edhe një i ri nga Malësia e Madhe

Gjykata e Foggia-s ka vendosur masën e paraburgimit për 14 persona të arrestuar gjatë një operacioni të zhvilluar javën e kaluar, ku u parandalua një grabitje e armatosur ndaj një furgoni të blinduar që transportonte rreth 8 milionë euro.

Vendimi është marrë nga gjyqtari hetues Andrea Scarpa, pas marrjes në pyetje të të dyshuarve në burgun e Modenës.

Mes të arrestuarve ndodhen edhe tre shtetas shqiptarë: Emiliano Smakaj, Alban Zeneli dhe Jurgen Xhixha. Në veçanti, mësohet se Smakaj është nga Malësia e Madhe

Të dyshuarit akuzohen si pjesë e një grupi kriminal dhe janë lënë në qeli për tentativë grabitjeje të rënduar, me përdorimin e metodave tipike mafioze. Sipas hetimeve, grupi përbëhej nga persona nga Foggia, Cerignola dhe Shqipëria, dhe dyshohet për lidhje me klanet mafioze të zonës.

Dokumentet e çështjes janë transferuar tashmë pranë Drejtoria Antimafia e Bolonjës (DDA), ndërsa hetuesit theksojnë se rrethanat rënduese lidhen pikërisht me mënyrën e organizimit dhe mjetet e përdorura.

Operacioni u zhvillua më 18 mars në Vignola, pranë Modenës, ku policia ndërhyri në flagrancë, duke kapur të dyshuarit teksa përgatiteshin të sulmonin furgonin e blinduar të kompanisë së sigurisë Battistolli.

Automjeti ishte nisur nga Paderno Dugnano, në periferi të Milanos, me destinacion Bolonjën. Gjatë kontrolleve, policia sekuestroi armë automatike kallashnikovë, municione, automjete të fuqishme, pajisje gjurmuese, si dhe katër kova me gozhdë të destinuara për bllokimin e rrugës së furgonit, së bashku me materiale të tjera ndihmëse për realizimin e grabitjes.

Share.
error: Content is protected !!