Policia e Shkodrës ka finalizuar operacionin e koduar “Wanted 2”, duke arrestuar një shtetas të shpallur në kërkim, i dënuar për veprimtari në fushën e narkotikëve.

Në kuadër të kontrolleve të bazuara në informacionet e siguruara në rrugë operative, specialistët e Seksionit për Hetimin e Narkotikëve, në bashkëpunim me shërbimet e Komisariatit të Policisë Shkodër, bënë të mundur kapjen dhe ndalimin e shtetasit Emiljan Hajdaraj, 48 vjeç, banues në Shkodër.

Sipas Policisë, Gjykata e Shkallës së Parë e Juridiksionit të Përgjithshëm Shkodër e ka dënuar Hajdarajn me 4 vjet e 8 muaj burgim, për veprën penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”, kryer në bashkëpunim.

Ai rezulton pjesëtar i një grupi kriminal që ushtronte aktivitet në shitjen e lëndëve narkotike në qytetin e Shkodrës, grup i goditur më herët nga Policia në kuadër të operacionit “Buna 2021”.

Materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë pranë gjykatës së Shkodrës për veprime të mëtejshme.

Share.
error: Content is protected !!