Harta arkeologjike e rajonit të Shkodrës është pasuruar me një tjetër sit me rëndësi historike. Në mbledhjen e fundit të Këshilli Kombëtar i Trashëgimisë Kulturore Materiale (KKTKM) është miratuar zonifikimi dhe rregullorja për ruajtjen dhe administrimin e zonës arkeologjike “A” për qytetin antik në Bushat.

Njoftimi është bërë nga Drejtoria Rajonale e Trashëgimisë Kulturore Shkodër, e drejtuar nga Helidon Sokoli, e cila thekson se gërmimet arkeologjike në këtë zonë po sjellin të dhëna të reja mbi historinë e një qendre të rëndësishme ilire.

Punimet arkeologjike kanë nisur që në vitin 2018 nga misioni shqiptaro-polak i drejtuar nga arkeologët Piotr Dyczek dhe Saimir Shpuza. Sipas rezultateve paraprake, një pjesë e qytetit të sipërm rezulton të ketë qenë e ndërtuar në mënyrë masive që në gjysmën e shekullit IV para erës sonë.

Sipas DRTK Shkodër, në bashkëpunim me Instituti Kombëtar i Trashëgimisë Kulturore (IKTK) dhe me mbështetjen e misionit arkeologjik shqiptaro-polak, në terren është realizuar rilevimi dhe përcaktimi i qartë i zonifikimit. Po ashtu është hartuar edhe rregullorja për ruajtjen dhe administrimin e kësaj zone me potencial të lartë arkeologjik, në përputhje me kuadrin ligjor për mbrojtjen e trashëgimisë kulturore.

Ky zhvillim pritet të ndikojë në rritjen e interesit për kërkimet arkeologjike dhe për promovimin e trashëgimisë historike të zonës së Bushatit dhe të gjithë rajonit të Shkodrës

Share.
error: Content is protected !!