Vdes një i arrestuar në IEVP Shkodër, Drejtoria e Burgjeve njofton rrethanat
Shkodër, 25 Janar 2026 – Një ngjarje e rëndë ka ndodhur sot në IEVP Shkodër, ku ka ndërruar jetë shtetasi Nicolae Ionnut Erion Deliver, 20 vjeç, me origjinë nga Rumani dhe banues në Shkodër.
Sipas njoftimit të Drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve, i riu ishte arrestuar më 7 tetor 2024 dhe ishte akomoduar në IEVP Shkodër më 10 tetor 2024, me masë sigurimi “Arrest në burg” për veprat penale “Vjedhje me dhunë” dhe “Prodhim dhe shitje të narkotikëve”.
Ngjarja ndodhi gjatë paradites së sotme, kur personeli i shërbimit e konstatoi shtetasin duke qëndruar në shtrat. Pas ndërhyrjes së menjëhershme të stafit shëndetësor të institucionit dhe dhënies së ndihmës së parë, ai u dërgua me urgjencë në Spitalin e Koplikut. Edhe pse iu dha ndihma mjekësore në urgjencë, mjeku konstatoi vdekjen e tij.
Drejtoria e Burgjeve njoftoi se ka informuar menjëherë organet kompetente dhe po bashkëpunon për sqarimin e plotë të rrethanave të ngjarjes, sipas procedurave ligjore. Institucioni gjithashtu shpreh gatishmërinë për të dhënë çdo informacion të mëtejshëm në përputhje me ligjin.
