Investime në beton, më pak fonde për arsim e shëndetësi: modeli i zhvillimit që po ndjek Shqipëria

Treguesit buxhetorë të periudhës afatmesme 2025–2029 tregojnë qartë se modeli i qeverisjes në Shqipëri mbetet i mbështetur kryesisht te investimet kapitale – rrugë, ndërtesa dhe vepra infrastrukturore – ndërsa investimi në kapitalin njerëzor, pra në arsim dhe shëndetësi, mbetet dukshëm më i ulët.

Sipas Kuadrit të ri Makroekonomik 2027–2029, shpenzimet kapitale do të lëvizin në një interval shumë të lartë prej 6–6.5% të Prodhimit të Brendshëm Bruto (PBB) në vit gjatë periudhës afatmesme. Në vitin 2026, ato arrijnë në 6.5% të PBB-së, një nivel që e vendos Shqipërinë ndjeshëm mbi mesataren e Bashkimit Europian, ku investimet publike zakonisht sillen rreth 3–3.5% të PBB-së.

Kjo e bën Shqipërinë një nga ekonomitë më të orientuara drejt investimeve publike në rajon dhe në Europë, duke reflektuar një strategji zhvillimi që mbështetet fort në ndërtim dhe infrastrukturë si motorë të rritjes ekonomike.

Arsimi dhe shëndetësia në plan të dytë

Në kontrast të fortë me këtë qasje, financimi për arsimin dhe shëndetësinë mbetet dukshëm më i ulët.

Shpenzimet për shëndetësinë, të përfaqësuara kryesisht nga skema e sigurimeve shëndetësore, luhaten nga 2.4% e PBB-së në vitet 2025–2026, për të rënë gradualisht në 2.1% në vitin 2029. Kjo do të thotë se, në terma relativë, shëndetësia po humbet peshë në ekonomi, edhe pse nevojat për shërbime shëndetësore rriten me plakjen e popullsisë dhe emigracionin e personelit mjekësor.

Fondet për arsimin do të vijnë gjithashtu në ulje si në raport me PBB-në, ashtu edhe me shpenzimet buxhetore, sipas parashikimeve në buxhetin afatmesëm 2026–2028. Shpenzimet publike për arsimin në vitin 2022 ishin vetëm 2.9% e PBB-së, ndërsa këtë vit pritet të arrijnë në 2.4% të PBB-së dhe në vitin 2028 do të jenë vetëm 2.1% e PBB-së.

Kjo tregon se, teksa ekonomia rritet, ndahen gjithnjë e më pak fonde për arsimin.

Një rritje pa kapital njerëzor

Struktura e buxhetit tregon se rritja ekonomike po kërkohet përmes investimeve fizike dhe jo përmes përmirësimit të produktivitetit të punës, cilësisë së arsimit apo shëndetit të forcës punëtore.

Në afat të shkurtër, kjo qasje mund të mbështesë rritjen përmes ndërtimit dhe punësimit në sektorë të lidhur me infrastrukturën. Por në afat të gjatë, rreziku është që vendi të ketë një ekonomi me shumë kantiere ndërtimi, por me mungesë gjithnjë e më të madhe mësuesish, mjekësh dhe profesionistësh të kualifikuar.

Infrastruktura ende e pamjaftueshme aty ku duhet

Megjithë këtë nivel të lartë shpenzimesh për investime publike nga buxheti i shtetit, vendi vazhdon të vuajë nga mungesa e infrastrukturës bazë pikërisht aty ku është përqendruar popullsia, aktiviteti ekonomik dhe presioni urban – në qendrat e mëdha, sidomos në Tiranë dhe zonën metropolitane përreth saj.

Në vend që kapitali publik të drejtohet aty ku kthimi social dhe ekonomik është më i lartë, ai shpërndahet në qindra projekte të vogla, të shkëputura nga njëra-tjetra, pa sinergji dhe pa një vizion territorial të zhvillimit.

Kjo copëzim e buxhetit ka një efekt të dyfishtë negativ: nga njëra anë, asnjë projekt nuk merr financimin e mjaftueshëm për t’u bërë realisht transformues dhe nga ana tjetër krijohet një terren ideal për abuzime, rinegocime kontratash, shtesa fondesh dhe zhvendosje të qëllimshme të prioriteteve.

Pasojat tashmë janë të dukshme

Qendra e vendit, ku jeton dhe punon mbi gjysma e popullsisë dhe ku prodhohet pjesa dërrmuese e PBB-së, mbetet e nënfinancuar në infrastrukturë urbane, transport publik, ujësjellës, kanalizime, shkolla, spitale, hapësira publike dhe strehim.


Autor: B. Hoxha/Monitor

Share.
error: Content is protected !!