Rënia e sistemit e-Albania dhe platformave shëndetësore gjatë mëngjesit të sotëm ka shkaktuar kaos në shërbimin farmaceutik, duke lënë mijëra pacientë pa mundësinë për të marrë ilaçet e përshkruara nga mjekët.
Sistemi e-Albania dhe platformat e lidhura me shëndetësinë kanë pësuar një ndërprerje funksionimi, duke krijuar probleme në ekzekutimin e recetave elektronike në farmaci në të gjithë vendin.
Edhe pse pacientët janë pajisur nga mjekët me kodet përkatëse, recetat elektronike nuk po ekzekutohen, për shkak të mosfunksionimit të sistemit.
Farmacistët shprehen se pa akses në platformë, nuk kanë asnjë mundësi të shohin emrin e barit, sasinë apo dozën që duhet të japin, çka e bën të pamundur shërbimin ndaj pacientëve.
Sipas procedurës, receta elektronike funksionon në mënyrë digjitale: pacienti paraqitet në farmaci me kartën e identitetit dhe kodin e marrë nga mjeku, ndërsa receta ekzekutohet përmes sistemit elektronik. Aktualisht, ky proces është bllokuar, duke lënë shumë qytetarë pa ilaçet e domosdoshme.
Po ashtu per shkak te bllokimit te sistemit, ka patur probleme te sherbimit ndaj pacienteve ne te gjitha spitalet e vendit nga Shkodra ne Himare.
Ende nuk ka një reagim zyrtar nga institucionet përgjegjëse lidhur me shkaqet e rënies së sistemit dhe kohën e rikthimit në normalitet.
