Drejtoria për Hetimin e Krimit Kibernetik ka lëshuar një apel për qytetarët, duke i paralajmëruar për raste të fundit mashtrimi përmes mesazheve SMS dhe lidhjeve të rreme që imitojnë faqen zyrtare të Policisë së Shtetit dhe synojnë përfitime financiare të paligjshme.


Drejtoria për Hetimin e Krimit Kibernetik informon se së fundmi është konstatuar qarkullimi i mesazheve mashtruese (SMS) dhe linkeve të rreme, të cilat drejtojnë qytetarët drejt faqeve false që paraqiten si faqe zyrtare të Policisë së Shtetit.

Sipas Policisë, këto faqe përdorin stemën institucionale, imazhe të Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë së Shtetit dhe elemente grafike që imitojnë shërbimet emergjente, duke krijuar një perceptim të rremë besueshmërie.

Si funksionon mashtrimi

Në fazën e parë, përdoruesve u kërkohet të konfirmojnë identitetin duke vendosur numrin e telefonit celular.
Më pas, u kërkohet numri i targës së automjetit, ndërsa në hapin final plotësimi i të dhënave bankare, me pretendimin për kryerjen e pagesës së një gjobe automjeti.

Policia sqaron se kjo faqe nuk është faqe zyrtare, pasi përdor një adresë interneti të rreme (domain: aspalgov.cyou), e cila nuk i përket asnjë institucioni shtetëror.

Ky rast përbën një tentativë mashtrimi kibernetik (phishing), me qëllim përfitimin e paautorizuar të të dhënave personale, numrave të telefonit, të dhënave të automjeteve dhe të dhënave bankare, duke ekspozuar qytetarët ndaj rrezikut të humbjeve financiare dhe abuzimit me identitetin.

Apeli i Policisë për qytetarët

Drejtoria e Hetimit të Krimit Kibernetik apelon që:

  • Të mos klikohen lidhje të dyshimta të dërguara përmes SMS-ve, email-eve apo rrjeteve sociale
  • Të mos vendosen numra telefoni, të dhëna personale apo bankare në faqe jozyrtare
  • Të mbahet parasysh se Policia e Shtetit nuk kërkon pagesa apo konfirmime identiteti përmes linkeve SMS
  • Çdo informacion të verifikohet vetëm përmes kanaleve zyrtare
  • Në rast dyshimi, të raportohet menjëherë pranë Policisë së Shtetit

Policia e Shtetit mbetet e angazhuar për parandalimin dhe ndjekjen penale të autorëve të këtyre veprave në hapësirën digjitale, duke ftuar qytetarët të tregojnë kujdes maksimal për mbrojtjen e të dhënave personale dhe financiare.

Share.
error: Content is protected !!