Deputeti i Partisë Demokratike, Gjin Gjoni, ka denoncuar përpjekjet e pushtetit vendor në Lezhë për të manipuluar procesin e zgjedhjeve për kryetarë fshatrash, në kundërshtim të hapur me ligjin dhe parimet e demokracisë.
Sipas tij, pavarësisht se Këshilli Bashkiak i Lezhës hapi disa ditë më parë rrugë zhvillimit të zgjedhjeve në zonat ku kryepleqtë ishin emëruar më herët nga kryetari i bashkisë, sot po tentohet sërish që përmes manovrave të paligjshme të imponohen kryepleq socialistë me çdo kusht.
Rasti më flagrant u shënua në fshatin Gocaj, ku pjesëmarrja e banorëve ishte masive dhe qytetarët ishin të gatshëm të ushtronin të drejtën e tyre kushtetuese për të votuar. Megjithatë, procesi zgjedhor u anulua, vetëm sepse kandidati i mbështetur nga “Rilindja” nuk rezultonte favorit i komunitetit.
Deputeti Gjoni thekson se, pavarësisht pjesëmarrjes së gjerë, pushteti vendor nuk ka mbajtur asnjë procesverbal për dokumentimin e pjesëmarrjes dhe shkaqeve të anulimit të zgjedhjeve, duke e bërë situatën edhe më të rëndë nga pikëpamja ligjore.
Ai i bën thirrje Këshillit Bashkiak dhe Bashkisë Lezhë të heqin dorë nga kjo praktikë e papranueshme dhe të lejojnë qytetarët të shprehin lirshëm vullnetin e tyre me votë, ashtu siç e garanton ligji dhe demokracia.
“Çdo tentativë për të shkelur ligjin do të dokumentohet dhe përgjegjësit do të përballen me drejtësinë. Fshatrat nuk janë pronë partie. Zëri i qytetarëve duhet të dëgjohet dhe të respektohet. Jo emërime, por zgjedhje të lira”, përfundon reagimin e tij deputeti i PD-së.m lezhapress
