Pavarësisht perceptimit se Vllaznia po ruan boshtin e skuadrës për sezonin e ri, situata brenda klubit shkodran duket më e ndërlikuar se sa është paraqitur publikisht. Burime pranë ekipit bëjnë me dije se disa nga rinovimet e fundit nuk pasqyrojnë plotësisht dëshirat e lojtarëve dhe se në grup ka pasur lëvizje e pakënaqësi.

Rasti i parë lidhet me sulmuesin Lirim Kastrati. Edhe pse rinovimi i tij u prit pozitivisht nga tifozët, sipas burimeve, lojtari fillimisht ka shprehur dëshirë për largim nga Shkodra. Aktivizimi i klauzolës 1+1 në kontratë, si dhe qëndrimi i trajnerit Edi Martini dhe presidentit Alban Xhaferi, kanë bërë që ai të vazhdojë me kuqeblutë. Ndërkohë, raportohet për interes konkret nga Teuta, me një ofertë financiare më të lartë.

Edhe e ardhmja e Sherif Kallakut mbetet e paqartë. Megjithëse klubi njoftoi rinovimin e bashkëpunimit edhe për një sezon tjetër, burime jozyrtare pretendojnë se mesfushori mund të mos jetë pjesë e Vllaznisë në edicionin e ardhshëm, me Teutën si një destinacion të mundshëm.

Në të njëjtën kohë, sipas të njëjtave burime, gjatë sezonit të kaluar nuk kanë munguar tensionet dhe përplasjet mes trajnerit Edi Martini dhe disa futbollistëve të skuadrës, duke krijuar një atmosferë jo plotësisht të qetë brenda grupit.

Por situatës së brendshme i është shtuar edhe një goditje e rëndë institucionale. Vllaznia ka pësuar një penalizim nga Komisioni Disiplinor i FIFA-s, i cili ka vendosur bllokimin e menjëhershëm të merkatos së kuqebluve, si në nivel kombëtar ashtu edhe ndërkombëtar.

Shkak për këtë vendim është mosshlyerja e detyrimeve financiare në vlerën rreth 84 mijë euro ndaj “FIFA Clearing House”, që lidhen me taksat e formimit për transferimin e mesfushorit Eslit Sala nga Valletta në vitin 2023.

Pavarësisht përpjekjeve të klubit për të justifikuar situatën me probleme administrative në sistemin TMS dhe vështirësi të përkohshme financiare, FIFA i ka rrëzuar këto pretendime. Përveç bllokimit të regjistrimeve të reja, Vllaznia është gjobitur edhe me 10 mijë dollarë, ndërsa masa mbetet në fuqi deri në shlyerjen e plotë të detyrimeve.

Mbetet për t’u parë në javët në vijim se si do të ndikojnë këto zhvillime në merkato dhe në projektin sportiv të klubit për sezonin e ri.

Share.
error: Content is protected !!