Një histori që flet shumë për mikpritjen shqiptare vjen nga Puka, ku një turist i huaj, pasi humbi pasaportën dhe portofolin, gjeti jo vetëm ndihmë, por edhe një familje që e priti si të ishte i tyre.

Në një moment të vështirë për të, ai rrëfen se familja e Përparim Laçit i hapi dyert e shtëpisë, duke i ofruar strehim dhe mbështetje të plotë gjatë gjithë qëndrimit në Pukë. Përtej ndihmës për gjetjen e dokumenteve të humbura, ajo që e ka prekur më shumë turistin është mënyra se si është trajtuar – si një anëtar i familjes. Përparim Laçi eshte Mjeshtri i Madh i Sportit.

“Gjatë një momenti shumë të vështirë, pasi humba dokumentet e rëndësishme, familja më ndihmoi shumë dhe më strehoi në shtëpinë e tyre,” shprehet ai në reagimin e tij.

Një rol të veçantë në këtë histori ka pasur edhe Leomir Laçi, më i vogli i shtëpisë, i cili sipas turistit u kthye në një “vëlla të vogël” dhe mik të pandarë gjatë gjithë kësaj periudhe. Me njohjen e mirë të gjuhës angleze, ai ka qenë ura e komunikimit dhe mbështetje e vazhdueshme në çdo moment.

Për turistin, kjo eksperiencë nuk ishte thjesht një ndihmë në një situatë emergjente, por një përjetim i rrallë i mikpritjes tradicionale shqiptare. Ai nuk ka kursyer fjalët e mira për familjen Laçi, duke i ftuar të gjithë vizitorët që të ndalen në veri të Shqipërisë për të përjetuar nga afër këtë kulturë dhe këtë ngrohtësi njerëzore.

Në një kohë kur shpesh raportohen vetëm problematika, histori të tilla tregojnë një tjetër fytyrë të vendit,atë të solidaritetit, bujarisë dhe vlerave që vazhdojnë të jetojnë në komunitetet shqiptare.

Share.
error: Content is protected !!