Një ngjarje e rëndë ka tronditur qytetin e Bolonja, ku një 12-vjeçar me origjinë nga Shkodra ka humbur jetën në mënyrë tragjike pasi ka rënë nga një pallat.

Viktima është identifikuar si Louis Pisha, i cili ndodhej në tarracën e një godine në zonën e Via Piave, së bashku me dy shokë të tij, kur ndodhi aksidenti fatal.

Sipas rindërtimit paraprak nga policia e komisariatit Santa Viola, i mituri kishte hipur mbi një dritare plastike transparente në çati, e cila është thyer papritur nën peshën e tij. Fillimisht ai ka mbetur i varur, ndërsa shokët janë përpjekur ta ndihmojnë, por pa mundur ta shpëtojnë. Për pasojë, 12-vjeçari ka rënë nga kati i tetë dhe ka ndërruar jetë në vend.

Në vendngjarje kanë mbërritur menjëherë shërbimet e emergjencës, policia dhe zjarrfikësit, por çdo përpjekje për ta mbajtur në jetë ka rezultuar e kotë. Mësohet se i mituri nuk banonte në pallatin ku ndodhi ngjarja.

Pak më vonë në vend kanë mbërritur edhe prindërit dhe të afërmit, ndërsa dhimbja ka qenë e madhe. Policia vijon hetimet për të zbardhur plotësisht rrethanat e kësaj tragjedie.

Share.
error: Content is protected !!