Një 58-vjeçar është arrestuar nga policia në Malësi të Madhe, pasi dyshohet se tentoi të vidhte dy automjete dhe dëmtoi një subjekt për shitje pjesësh automjetesh në fshatin Vrakë.
Sipas njoftimit të policisë, menjëherë pas marrjes së informacionit se në një subjekt për shitje pjesësh për automjete në këtë fshat ishte kryer një sërë veprimesh të paligjshme, shërbimet e Komisariatit të Policisë Malësi e Madhe organizuan punën për identifikimin dhe kapjen e autorit.
Si rezultat i veprimeve policore u arrestua në flagrancë shtetasi M. (S.) K., 58 vjeç, banues në fshatin Vrakë.
Nga hetimet paraprake dyshohet se 58-vjeçari ka tentuar të vjedhë dy automjete në ambientet e subjektit. Më pas ai ka dëmtuar gomat e njërit prej automjeteve dhe ka shkaktuar dëmtime edhe në fasadën e biznesit, duke e ngjyrosur atë me spraj.
Gjatë kontrollit të ushtruar në momentin e kapjes, policia i gjeti të dyshuarit edhe një sasi lënde narkotike të dyshuar Cannabis Sativa, e cila u sekuestrua me cilësinë e provës materiale.
Materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë së Shkodrës për veprime të mëtejshme ligjore.
